Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd,Kyle Scott ka bërë një deklaratë e cila ka nervozuar jashtëzakonisht shumë presidentin e Serbisë, Aleksandar V" />

Vuçiq nervozohet me ambasadorin amerikan: Trego pak respekt për Serbinë

Vuçiq nervozohet me ambasadorin amerikan: Trego pak respekt për Serbinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd,Kyle Scott ka bërë një deklaratë e cila ka nervozuar jashtëzakonisht shumë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ambasadori amerikan ka thënë se institucionet e Serbisë nuk duhet t’i referohen Kosovë si “i ashtuquajturi shtet” por si “shtet” pasi Kosova ka institucionet e saja dhe ato i njeh Amerika.

Scott i ka bërë këto deklarata duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve serb nëse ka një shpresë për një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, pas nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi mes Qeverisë së Serbisë dhe kompanisë amerikane “Bechtel” për ndërtimin e autostradës së njohur me emrin “Korridori X” apo “Korridorit Morava”.

“Kosovarët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe ne kemi kontakte me ta sikurse me çdo shtet tjetër i pavarur në regjion dhe mendoj se nuk duhet quajtur ‘ i ashtuquajturi shtet’ por një shtet i pavarur”, ka thënë Scott para mediave në Serbi.

E presidenti serb që nuk ka qenë prezent në këtë konferencë për media, ka reaguar menjëherë për mediat në Serbi duke thënë se ambasadori amerikan do të duhej të tregonte pak respekt për Serbinë, vendin ku shërben.

“Çfarëdo që Kosova është për Shtetet e Bashkuara, për ne është një i ashtuquajtur shtet. Andaj mendoj se ambasadori amerikan do të duhej të tregonte pak respekt për Serbinë dhe qëndrimin e saj karshi Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, presidenti serb ka thënë se Serbia do të vazhdojë të ketë marrëdhënie me SHBA-në edhe pas kësaj deklarate./Insajderi.com