Hoti: Fati i serbëve në Kosovë nuk do të ndryshojë as me mandatin e ri të FSK-së

Hoti: Fati i serbëve në Kosovë nuk do të ndryshojë as me mandatin e ri të FSK-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është duke sajuar gënjeshtra për gjendjen e serbëve në Kosovë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka shkruar se fati i serbëve nuk do të ndryshoj as nga largimi i UNMIK-ut e as nga FSK-ja me mandat të ri.

“Vuçiqi pandalshëm sajon gënjeshtra për t’i paraqitur serbët e Kosovës viktima. Sipas kësaj strategjie, sa më e pavarur Kosova aq më keq janë serbët. Fati i serbëve në Kosovë nuk do të ndryshoj as nga largimi i UNMIK-ut, as nga FSK-ja me mandat të ri”, ka shkruar Hoti.

Ndër tjera Hoti ka shkruar se “Fati i serbëve të Kosovës do të ndryshoj përfundimisht për të mirë atëherë kur Beogradi të pushoj t’i përdorë ata për interesa politike ditore të Vuçiqit dhe ta njoh shtetin e Kosovës. Sa më heret, aq më mirë për të gjithë”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar tri projektligjet që i hapin rrugë formimit të Ushtrisë. Një gjë të tillë e ka kundërshtuar vetëm Lista Serbe, që ka dalur nga seanca.

Projektligji i parë për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota për dhe asnjë kundër.

Projektligji për FSK-në gjithashtu u miratua në lexim të parë me asnjë votë kundër, dhe me 98 deputetë që votuan pro. Kurse me 96 vota për, është miratuar edhe Projektligji për Shërbim në FSK.

Me miratimin e këtyre tri ligjeve, Kuvendi ka dhënë dritën e gjelbër për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj ditë më parë është zotuar se zyrtarisht Kosova do të bëhet me ushtri në muajin nëntor. /Insajderi.com