Të bëmat e Anton Jupës, biznesmenit që u shiti mish të prishur kosovarëve

Pas publikimit të artikullit të Insajderit me titull: "Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika", Jupa kishte telefonuar në redaksinë e Insajderit duke kërcënuar me vdekje ekipin e Insajderit dhe gazetarin që kishte hulumtuar rastin.

Të bëmat e Anton Jupës, biznesmenit që u shiti mish të prishur kosovarëve

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur sot aktakuzë ndaj Anton Jupës, pronarit të kompanisë së mishit “Euro-IDA”, i cili dyshohet se kishte shitur mish të prishur dhe me afat të skaduar në tregun kosovar.

Jupa akuzohet nga Prokuroria për veprat penale të “Prodhimit dhe vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor” dhe “Kanosjes”.

Skandali i mishit të prishur që shpërtheu në Belgjikë në fillim të muajit mars të këtij viti, ishte bartur edhe në Kosovë pasi Gazeta Insajderi kishte zbuluar se mish i dyshimtë nga Belgjika ishte eksportuar në Kosovë në vitin 2016.

Në një artikull të publikuar më 14 mars, Insajderi zbuloi se në Kosovë ishte importuar mish nga firma “Veviba” edhe para se të asgjësoheshin 20 ton mish të kësaj kompanie belge nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në shtator të 2016-s.

Insajderi kishte siguruar një dokument nga Dogana e Kosovës, i cili dëshmonte se firma “Veviba” kishte eksportuar mish në Kosovë dhe që zbuloi se kompania për importin e mishit “Euro IDA” nga Rahoveci, kishte pranuar mish nga “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Bëhej fjalë për mbi 60 ton mish gjedhi që “Euro IDA” kishte importuar nga firma “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras me njëra-tjetrën. Hulumtimi i Insajderit dëshmon se mishi i dyshimtë i kompanisë “Veviba” ishte shitur papenguar në Kosovë. Madje, mishi i importuar nga kompania “Euro IDA” ishte blerë për vetëm 95 cent për kilogram.

Siç kishte raportuar e përditshmja belge Le Soir, mishi i kompanisë “Veviba” kishte pasur raste kur ishte shitur me afat të skaduar prej 12 vitesh.

Ky skandal i mishit që nga Belgjika erdhi në Kosovë alarmoi edhe institucionet, të cilat ndërmorën aksione për kontrollimin e cilësisë së mishit.

Pas publikimit të artikullit të Insajderit me titull: “Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika”, Jupa kishte telefonuar në redaksinë e Insajderit duke kërcënuar me vdekje ekipin e Insajderit dhe gazetarin që kishte hulumtuar rastin.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, kishte thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës tre ditë pas publikimit të artikullit më 17 mars.

Insajderi kishte denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, ndërkaq gjashtë ditë më vonë Jupa ishte arrestuar në Rahovec nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, më 21 mars të këtij viti u dëshmuan faktet për të cilat kishte raportuar Insajderi. Mbi 1800 kilogramë mish pule me afat të skaduar ishin gjetur në kompaninë “Euro-IDA”, pas një aksioni të bastisjes nga Policia e Kosovës. /Insajderi.com

Ngritet aktakuzë ndaj Anton Jupës, biznesmenit që kërcënoi me vrasje ekipin e Insajderit