Prokuroria kërkon 1 muaj paraburgim për zëvendësministrin i cili dyshohet se u arrestua për ryshfet

Prokuroria kërkon 1 muaj paraburgim për zëvendësministrin i cili dyshohet se u arrestua për ryshfet

Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena për momentin është duke qëndruar në mbajte për 48 orë, derisa Gjykata t’i caktojë masën e paraburgimit.

Prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë për Gazetën Insajderi se sot do të dërgojnë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj zëvendësministrit, Musa Cena dhe dy personave të tjerë.

“Kemi filluar me fazën fillestare të hetimeve dhe është ndalur për 48 orë është në polici për momentin për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, ne do të bëjmë kërkesë për caktimin e paraburgimit brenda 24-orëve, jemi të obliguar, ligji na obligon dhe kërkesën do ta dërgojmë në gjykatë sot”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Ai ka thënë se e kanë obligim ligjor që brenda 24-orëve, të dërgojnë në Gjykatë kërkesën për paraburgim ndaj tij.

“Nëse sot nuk mbahet seanca dëgjimore nga gjykata nesër do të caktohet seanca dëgjimore sepse brenda 24-orëve gjykata ka obligim që të caktojë një seancë dëgjimore kështu që kjo çështje përfundon nesër, pra rreth caktimit të paraburgimit apo jo, por mendoj se do t’i caktohet paraburgimi”, ka thënë Berisha.

Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena është arrestuar natën e mbrëmshme së bashku me dy persona të tjerë të dyshuar për veprën penale, “Marrje Ryshfeti dhe Keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Rastin për Insajderin e kishte konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai kishte thënë se arrestimi është bërë gjatë ditës së djeshme pas një veprimi hetimor nga Policia e Kosovs.

“Ju informoj se me datë 20.10.2018 Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar te involvuar në veprat penale Marrje e Rryshfetit  dhe Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit Zyrtar sipas kodit penal te Republikës se Kosovës. Te dyshuarit duke vepruar ne bashkryerje dyshohet se kane marre rryshfet nga pala e dëmtuar”, ka thënë Hoxha për Insajderi.

Hoxha ka thënë se “të gjitha veprimet tjera policore do te ndërmerren konform autorizimeve dhe rekomandimeve te organeve kompetente te drejtësisë”.

Musa Cena vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). /Insajderi.com