Panik në qeverinë e Serbisë për shkak të aplikimit të Kosovës në Interpol

Panik në qeverinë e Serbisë për shkak të aplikimit të Kosovës në Interpol

Ministri i brendshëm i qeverisë së Serbisë Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se “çdo tregim për kërkesën për pranimin e Kosovës në Interpol paraqet politizim të kësaj organizate, dhe pranimi eventual i saj do të jetë shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB”.

“Ky do të ishte precedent i cili është në kundërshtim me rregullat e Interpolit, të cilat parashohin se vetëm anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe vëzhguesit e KB mund të jenë anëtarë të Interpolit”, ka thënë Stefanoviq për gazetën serbe “Kurir”.

Ai ka deklaruar se, “vendimi eventual i Asamblesë së Përgjithshme për pranimin e Kosovës do të paraqet vendim politik, i cili nuk është i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ndërsa pasojat do të jenë të mëdha për Serbinë”, pasi e di shumë mirë se sa shumë kriminel serb nga koha e luftës në Kosovë i kanë ikur drejtësisë pikërisht për arsye se Kosova nuk është anëtare e Interpolit.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do ta shqyrtojë në gjysmën e dytë të nëntorit kërkesën e Kosovës të bëhet anëtare e kësaj organizate policore./Insajderi.com.