Në Komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së sot është diskutuar edhe për skandalin e djalit të shefit të këtij institucioni, Shpend Maxhuni.
Në veturën e djalit të Maxhunit janë gjetur armë dhe drogë, por këtë e ka mohuar Policia duke ndryshuar raportimin fillestar.
Pas mbledhjes së komisionit të AKI-së, shefja e këtij komisioni Ganimete Musliu ka thënë se ata do të kërkojnë nga Policia raport zyrtar për gjithë ngjarjen që ka ndodhur.
Musliu ka theksuar se pasi ta shqyrtojnë raportin nga Policia, do të vendosin për veprimet e tjera, shkruan Gazeta Insajderi.
“Komisioni me shumicë vlerësoi që ne duhet të informohemi në vijë zyrtare për krejt çka ka ndodhur. Se sa ka qenë i përfshrië drejtori i AKI-së. A ka pasur ndonjë ndërhyrje. Fillimisht u morëm vesh që në detaje të na raportojë për rrjedhën e kësaj ngjarje. Do të kërkojmë zyrtarisht raport, do ta shqyrtojmë atë, do të ëkrkojmë sqarim pse është ndryshuar raporti, pse ka dilema për tu ndryshuar, por nuk mund të vijmë në përfundim pasi Komisioni nuk ia bën gjyqin askujt”, ka thënë Musliu para gazetarëve.
Ajo ka bërë të ditur se deputetët e Vetëvendosjes në këtë mbledhje, kanë kërkuar shkarkimin e Shpend Maxhunit.
Por Musliu është shprehur që nuk munden t’i përfshijnë familjarët e drejtorit në institucione.
“Nëse ne si komision evidentojmë dhe vërtetohet që drejtori AKI ka ndikim në temën, atëherë konform ligjit dhe rregullave do të kërkojmë masa. Kemi të bëjmë me rastin e djalit të drejtorit, dhe familjen nuk duhet ta fusim në institucione. Ai nuk është i mitur dhe duhet të jap vetë përgjegjësi”, ka thënë Ganimete Musliu.
Ndryshe në lidhje me këtë rast, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka thënë se përgjegjësi duhet të jap ai që i është gjetur arma. /Insajderi.com