Qeveria ende nuk e ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike, qendrore dhe lokale. Derisa vetëm në kryeqytet janë dy lokacione të ndryshme ku mund ta blesh atë.
“Xhamia e Llapit” dhe “Zona Industrale” në Fushë Kosovë janë dy nga vendet ku qytetarët janë duke blerë thëngjill për ngrohje gjatë sezonit të dimrit. Çmimi për thëngjillin sillet nga 100 deri në 150 euro, ndërsa nëse e blenë atë me thasë çmimi i tij kushton 2 euro, shkruan Insajderi.
Shitësit ambulant të thëngjillit pa dashur të prezantohen për Insajderin kanë thënë se ata çdo ditë shesin dy deri në tre kamion me thëngjill dhe nuk frikësohen nga vendimi të cilin e ka marrë Ministria e Mjedisit.
“Çdo ditë shesim, çmimi i tij varet prej sasisë që marrin, ata kushton prej 100 deri në 150, e këta e shesim edhe me thasë, një thes qymyr kushton 2 euro edhe e transportojmë vetë te ai që donë me e ble”, ka thënë njëri prej shitësve të thëngjillit, tek “Xhamia e Llapit”.
Njësoj ka treguar edhe njëri prej shitësve tek “Zona Industriale” në Fushë Kosovë, pa dashur të prezantohet.
Derisa thëngjilli shitet publikisht, institucionet qeveritare pohojnë se janë duke punuar seriozisht në ndalimin e tij.
Leutrim Sahiti zyrtar në ministrinë e Mjedisit ka thënë për Gazetën Insajderi se për ta parandaluar përdorimin e thëngjillit kanë krijuar një task – forcë.
Sahiti, ka thënë se pjesë e kësaj task – force janë tetë ministri. Ky organizim ndërministror ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë vendim për ndalimin e thëngjillit.
“Janë tetë ministri, Ministria e Mjedisit është udhëheqëse, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministria e Punëve të Brendshme pjesë e kësaj task – force, mirëpo Qeveria nuk e ka nënshkruar ende vendimin” ka thënë Sahiti.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se deri më tani është nënshkruar vetëm një kërkesë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për Insajderin se është nënshkruar vetëm vendimi i ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
“Është nënshkruar vetëm vendimi i ministrit Lluka pas kërkesës së Ministrisë së Ambientit e cila ka të bëjë vetëm me shpërndarjen e thëngjillit te punëtorët e KEK-ut”, ka thënë Gashi duke shtuar se asnjë vendim tjetër nuk është nënshkruar.
Pra pjesë e kësaj kërkese e Ministrisë së Mjedisit ka qenë që thëngjilli mos të jepet më si dhuratë për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sahiti ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), që të ndalohet dhënia e thëngjillit falas për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Po ashtu kemi kërkuar nga MZhE, që të ndalet praktika e dhënies falas të thëngjillit për punëtoret e KEK-ut. Këto janë veprimet që jemi duke i ndërmarrë për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga thëngjillit, dhe njëkohësisht po vazhdon investimi nga MZHE për zgjerimin e rrjetit të koogjerimit në Prishtinë, në mënyrë që qytetaret të kenë një alternative dhe kështu ta ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje”, ka shtuar ndër tjera Sahiti.
Kjo kërkesë është respektuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ata kanë thënë për Insajderin se ky vendim ka hyrë në fuqi që nga 23 tetori i këtij viti.
“Ministria e Zhvillimit Ekonomik në përputhje me angazhimin e task-forcës ndërministrore për përmirësimin e cilësisë së ajrit, me datën 23.10.2018 ka marrë vendim që të ndalohet dhënia e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes së KEK-ut, me qëllim që të mbrohet ajri dhe zhvillimit të pastër”.
“Ndalohet çfarëdo mase për dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A., Obligohet Korporata Energjetike e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi, Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, ka thënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Vlerat e gjobave të parapara nga Ministria e Mjedisit
Çdo qytetarë i vendit i cili do të përdor thëngjillin për ngrohje gjatë sezonës së dimrit do të gjobitet nga pesëqind (500), deri në dy mijë (2.000) euro. Mirëpo ky vendim i marr së fundmi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH), nuk do të vlejë vetëm për qytetarët.
Dënime parashihen edhe për institucionet.
Shkollat fillore dhe të mesme do të paguajnë prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në pesëdhjetë mijë (50.000) euro, gjobë nëse zihen duke përdorur thëngjillin për ngrohje.
Po ashtu së fundit ministri, Matoshi ka nënshkruar një udhëzimin Administrativ, i cili parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre.
Matoshi në një konferencë për media kishte treguar se vlera e gjobës mandatore, varësisht prej veprimit ndëshkues do të jetë prej 20 deri në 100 Euro, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave të raportojnë për ata që shkelin dispozitat e këtij udhëzimi.
Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2018 parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturina dhe ambalazhe të ndryshme, 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti, 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre, 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim, 70euro;personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro. /Insajderi.com