Pallati i Rinisë rrezikon të mbetet pa ujë e në terr, për shkak të borxhit që arrin në mijëra euro

Pallati i Rinisë rrezikon të mbetet pa ujë e në terr, për shkak të borxhit që arrin në mijëra euro

150 mijë euro ia ka borxh Pallati i Rinisë, KEDS-it.

Si rrjedhojë, kjo korporatë, gjatë ditës së enjte, i ka lënë në terr këta konsumatorë dhe kjo, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, ka qenë paralajmërimi i fundit për shlyerjen e borxhit.

Në të kundërtën, thotë Buzhala, do të detyrohen që t’i shkyçin nga rrjeti elektrik, raporton KTV.

Buzhala ka shtuar se do të kenë një takim me udhëheqësit e Komunës së Prishtinës, për ta gjetur ndonjë zgjidhje dhe se beson që shumë shpejt do të gjenden mënyra për shlyerjen e borxhit.

Por, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se tek në janar do të mund të flitet për shlyerje të këtij borxhi, pasi ende janë në fazë tranzicioni.

“Deri në janar nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, kjo sipas një marrëveshjeje gojore në mes të Komunës dhe KEDS-it. Tek në janar do ta bëjmë shlyerjen e borxheve, jemi në fazë të tranzicionit që komunën nuk e lë të veprojë më tutje. Shpresojmë që KEDS-i ta mbajë premtimin”, ka thënë Nushi.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve nuk ka obligime vetëm ndaj KEDS-it.

Rreth 200 mijë euro borxh i ka edhe ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, ka thënë se nëse nuk ndërmarrin ndonjë hap konkret për shlyerjen e këtij borxhi, deri më 1 nëntor të këtij viti, do të detyrohen që t’i shkyçin nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit e kanalizimit dhe, njëkohësisht, të ndërmarrin masa ligjore përmbarimore.

Ndryshe, Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, nga muaji shtator, është kthyer në menaxhim të Komunës së Prishtinës.

Me zgjedhjen e aksionarëve, Pallati i Rinisë do të regjistrohet si ndërmarrje publike komunale.