Frashër Krasniqi flet për incidentin me Sveçlën

Frashër Krasniqi flet për incidentin me Sveçlën

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi e ka mohuar se mbrëmë ka pasur përleshje fizike me deputetin e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçlën.

Krasniqi ka thënë për Gazetën Insajderi se ka pasur vetëm një fjalosje të tensionuar.

“Mbrëmë pas emisionit ka qenë një fjalosje e tensionuar, por jo diçka serioze”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Përpasja e raportuar fizike që ka ndodhur mes dy deputetëve, ishte zhvilluar pas debatit që kishin në Rubikon të KTV.

Moderatori i këtij emisioni, Adriatik Kelmendi mbrëmë nuk kishte dashur të komentojë për gjithë ngjarjen.

Ai vetëm deklaroi se emisioni ka shkuar mirë.

Por përplasjen ndërmjet Krasniqit e Sveçlës e cilësoi si një “mosmarrëveshje futbollistike”, deputeti i Nismës, Enver Hoti.

Hoti tha për Insajderin sot se më shumë ka qenë një përplasje verbale.

“Ajo që mund të them unë është se ka qenë një debat pozitiv, njerëzit kanë shprehur idetë dhe qëndrimet e veta. Krejt do ta kisha përmbledh një mosmarrëveshje verbale, apo mosmarrëveshje fubollistike që i shohim përditë ndoshta nëpër fusha të futbollit, por pa pasoja pa dëme”, ka thënë Hoti.

Dy deputetët sot janë parë në Kuvend, ku pritet të votohet rezoluta për dialogun. /Insajderi.com