Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili në një postim në facebook sot ka shkruar se është sulmuar me vezë. Për këtë ai ka akuzuar disa aktivistë të Vetëvendosjes.
Sipas Ismailit, nga goditja me vezë ka pësuar gruaja e tij, që ka marrë edhe një lëndim në këmbë.
“Vendosëm me u kthye në kambë në shpi, edhe, s’po di se a na kanë përcjellë prej Zllatari, apo mbasi e takova një aktivist të Lëvizjes në një market në lagjen Mati (e që mezi më foli), por as 10 minuta më vonë, në rrugën C, prej një veturës në lëvizje na gjujti një prej qyrrave qynana me voe edhe e goditi Nitën në kambë. Veja u thye në tokë, Nitës iu ba kamba çivit”, ka shkruar Ismaili në facebook.
Këtë sulm sot Ismaili e ka cilësuar edhe si një “veprim qyqanësh”.
“Me gjue me voe gjithmonë mu ka dukë gjest qyqanash. Gjithmonë e kam kundërshtue atë veprim përbrenda. Edhe në Kuvend, kur më kanë urdhnue me e gjuejtë Isa Mustafën me voe, s’pata pranue. Njeri 2 metra, ish luftëtar, me kapë me e gjue me voe plakun me nji kambë në vorr ish kundër çdo parimi njerëzor për mue, pavarësisht se çka ka ba ai”, shkruan Ismaili në facebook.
Por fjalë krejt tjera kishte deputeti i PSD-së, para tri vitesh kur ishte pjesë e Vetëvendosjes.
Ai veprimin e gjuajtes me vezë e cilësonte si një veprim që ndodhë në gjithë botën.
Këto deklarime Ismaili i kishte bërë poashtu në facebook, pas një debate të ashpër me deputetin e LDK-së, Armend Zemajn.
“Të mirremi vesh: arsyeja pse historikisht në shenjë proteste hudhen vezë e domate është me e e shprehë pakënaqësinë, pa e lëndue fizikisht personin që po e gjuen. Kjo praktikohet qe qindra vjet gjithandej nëpër botë”, shkruante në facebok Ismaili para tri vitesh. ./Insajderi.com