Vetëm një njohje kanë pranuar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por në të paktën shtatë raste MPJ-së i është dashur të reagoj ndaj deklaratave të zyrtarëve serb për tërheqjen e njohjeve.
Me 15 shkurt erdhi njohja e fundit nga shteti i Barbados për Kosovën, duke mbetur e vetmja njohje e pavarësisë së vendit gjatë këtij viti.
Në kohën kur do duhej të vinin njohje të reja për shtetin e Kosovës, energjia e Ministrisë së Punëve të Jashtme po shpenzohet duke demantuar lajmet e zyrtarëve serb për revokime të njohjeve karshi shtetit të Kosovës, shkruan Insajderi.
Këtë e ka bërë në të paktën shtatë raste.
Gjatë ditës së sotme në media serbe u raportua se Unioni i Komoreve e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Por këtë lajm e mohua nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përmes një njoftimi për media MPJ ka bërë të ditur se Serbia përmes lajmeve të rreme po keqpërdorë edhe reputacionin e vendeve që e kanë njohur Kosovën.
“Edhe sot Serbia në bashkëpunim me mediat e instrumentalizuara përhapi lajmin e rremë, se gjoja Unioni i Komoreve paska tërhequr njohjen për Kosovën. Ministria e Punëve të Jashtme siguron publikun se posedon informacion dhe korrespondencë nga burime të shumëfishta kredibile, nga akterë global, informacion i cili na ri-konfirmon atë që e kemi pohuar gjithnjë, që vendet në të cilat thirret Serbia, e mohojnë të kenë marrë apo të konsiderojnë të marrin vendim për tërheqje të njohjes”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Më saktësisht të gjitha vendet në të cilat thirret Serbia, kanë konfirmuar që bëhet fjalë për lajme të rreme, dhe se njohjet e tyre konform praktikes së marrëdhënieve ndërkombëtare janë akte të pakthyeshme.
Ky nuk ësht rasti i vetëm kur Serbia ka përpur lajmet për tërheqjen e njohjeve. Edhe gjatë muajit tetor thanë se Mbretëria e Lesothos e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës. Një gjë e tillë sërish u demantua nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Asnjëherë nuk ka pasur tërheqje të njohjeve. Kjo thjesht është propagandë e Daçiqit e cila nuk duhet trajtuar seriozisht”, kishte thënë Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj.
Në qershor të vitit 2018 u tha se edhe shteti i Liberisë ka tërhequr njohjen, sërish ky lajm u demantua nga Ministri Pacolli, i cili tha se Liberia nuk tërhoqi njohjen dhe se “Serbia po rren”.
Në muajin shkurt nga mediat serbe u raportua se edhe shteti i Burundit ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Lajmi se revokimi i njohjes nuk ka ndodhur u bë i ditur sërish nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Edhe gjatë vitit të kaluar kishte pasur raste kur zyrtarë serb kishin deklaruar se janë tërhequr njohje.
Në tetor shpërndanë lajmin se shteti i Surinamit ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Si zakonisht Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës mjaftohej me demantimin e lajmit dhe deklaratat se ishin në dijeni të përpjekjeve qëllimkqija të Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, thuhej në reagimin e MPJ-së në këtë rast.
Menjëherë pas kësaj në muajit nëntor u raportua se edhe shteti i Guinea Bissau kishte tërhequr njohjen.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli mohoi të ketë ndodhur një veprim i tillë.
E tërë fushata e zyrtarëve të Serbisë me publikimin e lajmeve për tërheqje të njohjeve ka nisur në vitin 2013. Atëherë ishte raportuar se shteti i Sao Tome e Principe tërhoqi njohjen dhe kjo sërish u demantua nga Ministria e Punëve të Jashtme në atë kohë nën udhëheqjen e Enver Hoxhajt tashmë zëvendëskryeministër i Kosovës.
Kujtojmë që Kosova është shpallur shtet i pavarur që nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe deri në vitin 2018, është njohur vetëm nga 116 shtete. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 18 shkurt 2008, Afganistani ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur.
Duke klikuar këtu mund të shihni se cilat janë shtet që e kanë njohur Kosovën deri tani.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Grupi Parlamentar i LDK-së dhe i VV-së, ku, pikë e rendit të ditës do të jetë “Debat parlamentar lidhur me dështimet edhe skandalet në politiken e jashtme të Kosovës”, të mbahet me 16 nëntor./Insajderi.com
Shkruan: Donjeta Islami