Ministri serb: Do të luftojmë deri në fund që Kosova të mos anëtarësohet në INTERPOL

Ministri serb: Do të luftojmë deri në fund që Kosova të mos anëtarësohet në INTERPOL

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të bëjë gjithçka për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Ai shprehu besimin se do t’i bind anëtarët e tjerë se pranimi i Kosovës është ide e keqe, mbi të gjitha për organizatën, shkruan Tanjug, transmeton Telegrafi.

Stefanoviq theksoi se Serbia do të luftojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol “deri në ditën e votimit, deri në sekondën e fundit”.

Kujtojmë se ditë më parë edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq kishte deklaruar se është pothuajse e sigurt se Kosova nuk do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e Interpolit.

Serbia vazhdimisht është duke bërë “luftë” të ashpër rreth njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Madje shkaku i kësaj lufte, Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për vendosjen e masës ekonomike prej 10% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja.