Gjashtë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u arrestuan sot nga Policia e Kosovës, dyshohen se kanë kryer vepër terroriste.
Kështu ka thënë prokurori Abdurrahim Islami, i cili ka shtuar se do të parashtroj kërkesë për zgjatjen e masës së arrestit ndaj tyre.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në Prishtinë dhe Podujevë të martën për arrestimin e aktivistëve të cilët dyshohen se më 4 gusht kanë sulmuar me armë objektin e Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, Luan Keka, zëvendësdrejtor i Njësisë së Terrorizmit në Policinë e Kosovës, ka thënë se në bazë të hetimeve policore kanë arritur që të identifikojnë të gjithë planin e sulmit të bërë më 4 gusht.
“Të gjitha këto prova e kanë ndërlidhë grupin e arrestuar më këtë sulm. Pas aksionit të bastisjeve u sekuestruan edhe një mori armësh që lidhen me rastin e sulmit”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se aktivistët e tyre janë keqtrajtuar në polici.
Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Astrit Dehari, Egzon Haliti dhe Petrit Ademi, nën dyshimin për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti.
Më herët Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur për bastisje në gjashtë lokacione të ndryshme dhe ka arrestuar gjashtë personat e lartcekur.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe disa prova material përfshirë Gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë dhe municion.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për shtyp kanë mohuar mundësinë që gjashtë aktivistët e saj të arrestuar sot nga Policia e Kosovës të kenë lidhje me sulmin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës.
Lideri i kësaj partie Visar Ymeri tha se arrestime janë “akt klasik i përndjekjes ndaj kundërshtarëve politikë”.
“Policia sot e vazhdoi atë aksion që e kishte filluar dje Radio Televizioni i Kosovës ose tash e ca ditë për demantimin e rasteve të sulmit të fundit ndaj aktivistëve të LVV. Këto metoda, këtë lidhje polici, media pushtet nuk është se po e shohim për herë të parë, është saktësisht e njëjta metodë që dikur përdorte UDBA, e që e ka përdorë SHIK-u tash e sa kohë”, tha Ymeri./Insajderi.com