Shtyrja e liberalizimit të vizave zvarrit “kthimin” e 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës

Korrigjimi i marrëveshjes aktuale për kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të shtyhet ende, në rast të dështimit të liberalizimit të vizave. Komisionet e dy vendeve nuk kanë filluar ende punën për korrigjimin e kufirit, ndërsa afati për korrigjim ka qenë dy vite. Prioritet Qeveria e Kosovës i ka dhënë liberalizimit të vizave, karrshi ‘kthimit’ të 8 mijë hektarëve.

Shtyrja e liberalizimit të vizave zvarrit “kthimin” e 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon t’i qëndrojë besnik qëndrimit të tij se Kosova ka humbur afër 8 mijë hektar tokë me marrëveshjen e ratifikuar për pikën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

E gjitha kishte filluar kur Haradinaj si anëtarë i komisionit i kishte përplasur për fytyre një hartë, kryetarit të Komisionit për Demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Murat Mehës. Duke e quajtur ‘peder’, Haradinaj e kishte ofenduar Mehën.

E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar në mars të këtij viti, kur Haradinaj më nuk ishte në opozitë. Ishte bërë kryeministër.

Ndryshimi i vetëm kishte qenë marrëveshja mes presidentëve, Hashim Thaçit dhe Filip Vujanoviq si dhe të merrej parasysh puna e Komisionit Bulliqi. Aty theksohej se korrigjimi  i ndonjë gabimi eventual për shënjimin e pikës kufitare do të korrigjohet.

“Republika e Kosovës dhe Malit Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja ka hy në fuqi do të formojnë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare”.

“Palët pajtohen se gjatë këtij procesi, Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas kësaj aneks marrëveshje. Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”, thuhet marrëveshjen e nënshkruar mes dy presidentëve.

Vetëm një javë më parë Haradinaj tregoi vendosmëri se kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Kullë dhe Çakorr. Por për të korrigjuar marrëveshjen e “gabuar” të Qeverisë Mustafa, ende nuk është bërë asgjë.

“Nuk jem ka korrigjojmë kufij, jemi duke korrigjuar një marrëveshje për kufirin që është bërë gabim. Kufiri është në Çakorr, kufiri është në kullë”, kishte deklaruar Haradinaj nga Boga.

Kryetari i Komisionit për Demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Shpejtim Bulliqi emëruar në këtë post nga kryeministri Haradinaj tregon se ende nuk është bërë asgjë për të korrigjuar marrëveshjen e ratifikuar nga kuvendi i Kosovës dhe ai i Malit të Zi.

Thotë se është duke pritur vendimin e Qeverisë për të filluar punën së bashku me komisionin malazez.

“Nuk është punë e jona kjo, është punë e Qeverisë na nuk mundemi me bo asgjë si komision. Ne jemi të gatshëm, vetëm po presim vendimin e Qeverisë mirëpo, nuk jemi ne ata të cilët i hapim diskutimet, por njëherë për njëherë nuk ka nga Qeveria asgjë. Por ç’është e vërteta as unë nuk e di një gjë të tillë. Neve kurdo që na hapen mundësitë na si komision kemi gatishmërinë. Deri më tani ne si komision nuk kemi pasur ndonjë kontakt me komisionin e Malit të Zi”, kishte thënë Bulliqi ditë më parë.

Për Insajderin edhe Qeveria e Kosovës ka pranuar se deri më tani nuk ka filluar puna për korrigjimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Arsyeje për mos fillimin e punës nga dy komisionet sipas Qeverisë së Kosovës është për shkak të përgatitjeve që duhet bërë si dhe për shkak të prioriteteve të Kosovës.

“Komisioni Qeveritar ka mandat 2-vjeçar për Shënimin e Vijës kufitare të Kosovës. Në ketë rast me Malin e Zi ekziston një marrëveshje legjitime për shënimin e vijës kufitare dhe ne si Qeveri kemi marrëdhënie shumë të mira me Malin e Zi”.

“Komisioni është i gatshëm me të gjitha materialet e nevojshme kurdo që kjo të nis si proces dhe kurdo që të nis, ju informojmë me kohe. Pse nuk ka ndodhe deri tani, dalja në terren është sepse është dashur kohë për përgatitje dhe gjithashtu për shkak të prioriteteve të tjera që ka pasur Kosova”, thuhet në përgjigjet e  Qeverisë së Kosovës për Insajderin.

Prioritet kryesorë për Qeverinë Haradinaj vazhdon të mbetet liberalizimi i vizave, e që në fund të vitit pritet të vendoset nëse kosovarët do të lëvizin lirshëm në zonën shengen.

Haradinaj kohë më parë kishte deklaruar se prioritet për Qeverinë e tij do të mbetet liberalizimi i vizave e më pas të korrigjohet marrëveshja për kufizimin me Malin e Zi.

“I gëzohemi sukseseve të Malit të Zi… Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe i jemi falënderues për gatishmërinë që Marrëveshjen për kufirin ta trajtojmë në përputhje me atë që jemi marrë vesh… Koha për këtë do të jetë kur ne e përcaktojmë, pra nuk kemi presion kohor për këtë pasi kemi disa tema me rëndësi si liberalizimi i vizave, zbatimi i agjendës evropiane dhe tema tjera. Të vetmit presion kohor që e kemi është liberalizimi i vizave…”, kishte deklaruar Haradinaj dy muaj  më parë.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi, ishte arritur më 25 gusht të vitit 2015 në Vjenë. Vetëvendosje, AAK dhe Nisma si parti opozitare kishin kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje duke konsideruar se Kosova ka humbur tokë./Insajderi.com