Himni dhe flamuri i Kosovës në Pragë, në shënimin e fundit të Luftës së Parë Botërore

Himni dhe flamuri i Kosovës në Pragë, në shënimin e fundit të Luftës së Parë Botërore

Ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu, sot ka marrë pjesë në një ceremoni te organizuar nga Ambasada e Republikës së Francës ne Pragë, në shënim të 100 Vjetorit te Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

Në varrezat e qytetit të Pragës, Ambasadori Vllahiu ka vendosur kurora me lule për nder të viktimave. Në këtë ceremoni është intonuar himni i Kosovës dhe flamuri i Kosovës ka valuar përkrah flamujve të Francës, Çekisë, Italisë, SHBA-së, Kroacisë, Holandës dhe Sllovenisë. E gjithë ceremonia është përcjellë me nderime ushtarake dhe himnet e shteteve janë intonuar nga bandi ushtarak.

“Një kurorë me lule në nderim të viktimave dhe në shënim të 100 Vjetorit të Armëpushimit (Armistice Day) që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Francës, me bandin ushtarak, në varrezat e qytetit të Pragës, u intonua himni i Kosovës dhe flamuri i shtetit te Kosovës valoi përkrah flamujve të shteteve mike: SHBA-së, Francës, Çekisë, Italisë, Sllovenisë, Kroacisë e Holandës, shtete që u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre”, ka shkruar Vllahiu.

Brenda pak muajve, me marrjen e detyrës nga Ambasadori Vllahiu, Ambasada është vizituar nga një numër i Ambasadorëve te shteteve të tjera, përfshirë atë të Gjermanisë e së fundi edhe nga ambasadori i SHBA-së, Stephen B. King.