Në numër më të madh krahasuar me protestat e kaluara, Grupi i Qytetarëve #Protesoj mbajtën protestën e shtatë “kundër korrupsionit e krimit institucional”.
Protestuesit janë mbledhur si zakonisht në sheshin Zahir Pajaziti për të marshuar drejt Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë hedhur dhe lënë mbeturina në oborrin e Qeverisë.
Protestat kanë filluar të organizohen para më shumë se tre javësh, vetëm disa ditë pasi që Insajderi filloi me publikimin e Dosjes së Shefave – një seri përgjimesh telefonike të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, që dëshmojnë ndikimin e kësaj partie në institucione të pavarura publike të vendit.
Deri më tani, protestave të thirrura u janë përgjigjur qindra protestues. Në protestën e fundit, protestuesit kanë “bombarduar” me aeroplanë të letrës ndërtesën e qeverisë, kurse para kësaj kanë hedhur edhe letra tualeti dhe qese uji./Insajderi.com