Ministria e Financave punëson praktikantë nga UP-ja

Ministria e Financave punëson praktikantë nga UP-ja

Një grup i dytë studentësh të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, nga shtatori do të nisin punën si praktikantë në Ministrinë e Financave.

Kështu bënë të ditur Ministria e Financave në një komunikatë për media, nëpërmjet së cilës tregohet se për këtë është organizuar edhe një ceremoni e nënshkrimit të studentëve.

Punësimet në institucionet publike kanë qenë një nga temat kryesore në serinë e përgjimeve “Dosja e Shefave” të publikuar nga Gazeta Insjderi.

dosjen IX, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, flet me djemtë e tij për punësim të një shoku të tyre, Fidanit, në Ministrinë e Integrimeve, që atëherë drejtohej nga Vlora Çitaku.

Djemtë e Adem Grabovcit, kishin qasje të pakufizuar në kabinetet e ministrave. Ata, kishin autorizime nga i ati që shokun e tyre, Fidanin ta punësonin në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Këtë ministri e kishte zgjedhur vetë Grabovci për shokun e djemve të tij, Guximit e Ngadhënjimit.

Aty, sipas Grabovcit, e kishte më së miri. Fidani nuk e dinte anglishten, që ishte njëra prej kritereve të punësimit. Por, ky kriter binte poshtë për të.

Më vonë Çitaku, që tash është ambasadore e Kosovës në Amerikë kishte treguar se shoku i djemve të Grabovcit megjithatë nuk ishte pranuar në punë.

Por të sigurt, punën në Ministrinë e Financave, e kanë ky grup i studentëve të UP-së.

Sipas Ministrisë, studentët janë “përzgjedhur për angazhim në punë praktike në Ministrinë e Financave, në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Financave dhe UP-së”./Insajderi.com