​Asistentët të domosdoshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar

​Asistentët të domosdoshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar

Mungesa e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar që vijojnë mësimet, po vlerësohet se është një mangësi e madhe dhe po ka ndikim që fëmijët të mos arrijnë të përvetësojnë mësimet.

Kështu është thënë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku është diskutuar për Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2013-2023, për të cilën është thënë se përveç disa arritjeve ka ende shumë punë për t’u bërë.Për të diskutuar për këtë strategji ishin paraparë të raportojnë ministri i Punës Skënder Reqica, ai i Arsimit Shyqiri Bytyqi, ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli dhe ministri i Kulturës Kujtim Gashi. Por përveç ministrit Bytyqi të tjerët nuk kanë marrë pjesë.

Kreu i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se si ministri i kanë adresuar të gjitha çështjet që dalin nga strategjia, ku ai tha se kanë bërë shumë sa i përket aspektit legjislativ. Ai ka bërë të ditur se në vitin 2017 janë diplomuar 54 asistentë, të cilët i asistojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Ndërsa, ka thënë se për vitin 2019 do të punësohen edhe 100 të tjerë.

Bytyqi bëri të ditur se janë themeluar dhe janë funksionalizuar ekipet vlerësuese në 24 komuna, ku ai tha se në këtë periudhë janë bërë disa trajnime për funksionin më të mirë të tyre.
Po ashtu, kreu i arsimit ka folur edhe për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku ka thënë se nga 76 klasë që kanë qenë të veçanta, tashmë janë vetëm 18. Sipas tij, tash do të shikohet se a do të ketë integrim për fëmijët që vijojnë këto klasa të veçanta, apo do të vazhdojnë shkollimin në qendrat burimore. Numri prej 100 asistentëve që do të punësohen, po konsiderohet i pamjaftueshëm për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara që janë në Kosovë. Sebahate Beqiri nga Shoqata Down Sindrome, ka thënë se është shqetësues numri i madh i asistentëve në shkolla publike që paguhen nga vetë prindërit. Ajo me këtë rast ka ngritur shqetësimin edhe për shumën që marrin familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës, Enver Kurtalani, ka bërë të ditur se nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të shurdhër që përfundojnë shkollimin fillor apo të mesëm nuk dinë shkrim dhe lexim, ku ai tha se janë analfabet funksional nga ky sistem i arsimit.
Ndërsa, Bujar Kadriu nga Organizata Forumi kosovar i aftësisë së kufizuar, ka kërkuar që sa më shpejt të miratohet ligji gjithëpërfshirës, pasi sipas tij situata është urgjente.
Nga Iniciativa e pavarur e të verbërve të Kosovës, Jasmin Maksuti, ka thënë se shoqëria për personat me aftësi të kufizuar duhet të bëjë çmos që të integrohen në arsimin normal.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina- Bunjaku, ka paraqitur disa të dhëna se çka kanë bërë si ministri për personat me aftësi të kufizuara. Ajo ka thënë se në kuadër të ditës së personave me aftësi të kufizuara kanë punësuar tre perona për tri ditë.
Për këtë deklaratë të saj ka reaguar Rukije Gashi, nga Shoqata e të Shurdhërve të Kosovës, e cila këtë veprim e ka quajtur të turpshëm.

Megjithatë, zëvendësministrja ka pasur një përgjigje sa i përket punësimit të atyre tre personave.
“Nuk do të thotë se me këtë do ta përfundojmë, në të ardhmen besoj se numri i të punësuarve do të shtohet dhe do të jetë në të mirë të të gjithë komuniteteve. Kuota në MKRS është krejtësisht e plotësuar”, tha ajo.