Thaçi jep detaje për takimin me Putinin

Thaçi jep detaje për takimin me Putinin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dhënë detaje të takimit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ne Paris.

“Takimi me Putin ka qenë krejt normal dhe korrekt. Në postimin të cilin unë e kam bërë kam theksuar qartë se është krijuar mundësia që të diskutojmë për disa minuta, kokë më kokë, për dialogun, për negociatat Kosovë-Serbi dhe mundësinë arritjes se një marrëveshje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi deklaroi se ka marrë mbështetjen e Putin për arritjen e marrëveshjes në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Putin ka theksuar se është një çështje delikate por në të njëjtën kohë në fund edhe ai ka qenë shumë i qartë në atë se Rusia do ta përkrahë mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi”.

Presidenti në Zona B takimin me Putin e vlerësoi si një arritje të lartë diplomatike për Kosovën.

“Ky është takimi i parë në mes të Kosovës dhe Rusisë në një nivel të tillë”.

“Është shumë me rëndësi qëndrimi i pozicionit të Rusisë, në qoftë se arrihet marrëveshje, që të tërheqë veton në Këshillin e Sigurisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është hap përpara, një progres por edhe një angazhim diplomatik i munguar për Kosovën në raport me Rusinë”.

“Raportet tradicionale të Rusisë me Serbinë nuk janë pengesë për raporte normale të Kosovës me Rusinë. Ne nuk kemi qenë as armiq e as miq por mund të kemi raporte normale siç kanë të gjitha vendet e BE-së me Rusinë. Mendoj se është një hap gjigant për diplomacinë e Kosovës”.

Thaçi theksoi se gjatë takimit me homologun e tij rus nuk kanë diskutuar gjera konkrete mirëpo është diskutuar për aspektet e përgjithshme si dhe mundësinë e ndryshimit të pozicionit rus në raport me Kosovën.