Dështon seanca e jashtëzakonshme për pakon evropiane

Dështon seanca e jashtëzakonshme për pakon evropiane

Seanca e thirrur nga kryeministri për shqyrtimin e pakos së ligjeve dhe sundim të ligjit, është mbyllur nga kryesusi Xhavit Haliti.

Kjo është bërë për shkak të mungesës së kuroumit dhe kërkesës që Haradinaj e ka dorëzuar dje pasdite, që kjo seancë të anulohet.

Xhavit Haliti ka thënë se kjo seancë nuk ka qenë e përgatitur, shkruan Gazeta Insajderi.

“Seancën e kemi thirrur si kryesi me kërkesë të kryeministrit. Konstatoj që seanca nuk ka qenë e përgatitur për tu thirrë, edhe pse është dorëzuar kërkesa dhe seancën e shpalli të mbyllur. Seanca tjetër mund të thirret edhe nga kryeministri edhe nga deputetët”, ka thënë Haliti.

Në lidhje me këtë seancë ka pasur një debat ndërmjet partive në pozitë dhe opozitë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kryeministri nuk e ka të drejtën të ftojë seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e dytë të një ligji. Ka thënë se kjo punë i takon Kuvendit.

Shkelje kushtetuese e ka quajtur këtë thirrje deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Ka thënë se po ka ndërhyrje në pushtete të ndryshme. “Presidenti ndërhyn në qeveri e tash kryeministri në Kuvend”, ka thënë ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se vetë kryeministri Ramush Haradinaj dje pas takimit me Komisionin për Legjislacion, ishte pajtuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Ai ka kërkuar që grupet parlamentare të merren vesh që të caktojnë kur të mbahet kjo seancë. /Insajderi.com