Angazhimi që kishin pasur në zgjedhjet e fundit së shpejti mund të kurorëzohet edhe për sekserin e dytë Astrit Haraqinë. Pas Dardan Gashit që është emëruar zëvendëskryeministër edhe Astrit Haraqija po synon ngjitjen në pushtet – synon të jetë në krye të Administratës Tatimore të Kosovës.
Problemet me drejtësinë vendore, Astrit Haraiqja i ka hedhur pas krahëve që nga java e kaluar. Ai në fillim të këtij muaji ka marrë edhe dokumentin zyrtarë se asnjëherë nuk është i dënuar nga Gjykatat vendore.
Pas nxjerrjes së këtij dokumenti, ai ka synim emërimin në një postë të lartë shtetërore. Astrit Harqija i është bashkuar garës për të partin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), aty ku shkojnë të gjitha paratë e tatim paguesve të Kosovës.
Kandidimin për këtë pozitë e ka konfirmuar edhe vetë Haraqija në një deklarim për Insajderin. Ka thënë se ka shtatë vite pa punuar dhe se i plotëson të gjitha kushtet. Shton se nuk është i dënuar nga asnjë gjykatë vendore.
Megjithatë ai gjendet ende në një proces gjyqësorë. Asnjë seancë nuk është mbajtur që nga transferimi i lëndës nga Eulexi tek gjykata vendore.
Aktakuzë kundër Ukë Rugovës dhe 20 tjerëve për krim të organizuar
Ministri i dënuar me 10 muaj burgim me kusht
Në vitin 2015, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte shpallur fajtorë Astrit Haraqinë me 10 muaj burg me kusht. Në këtë çështje kishte qenë i përfshirë edhe producenti Armond Morina.
Producenti filmik Armond Morina u dënua me gjashtë muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm. Ish-ministri akuzohej për shpërdorim detyre.
Haraqia që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.
Ministri më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.
Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.
Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-s. Por, më 2016, Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuzat Haraqinë, kështu duke e shpallë të pafajshëm.
Përfshirja e sekserit në mashtrimin me viza
Viti 2016, për Astrit Haraqinë kishte qenë një tjetër përballje me drejtësinë. Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Haraqisë dhe ndaj Ukë Rugovës, djalit të ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës.
Uka akuzohet për krim të organizuar dhe trafikim njerëzish, ndërsa Astrit Haraqija si ish-ministër, e kishte për detyrë t’ia gjente klientët për vizat italiane Schengen.
Insajderi në vazhdimësi kishte raportuar për “Dosjen Grande” hulumtimi ky që zbardhte përfshirjen e Ukë Rugovës në mashtrimin me viza shengen.
Dyshohet se Ukë Rugova i kishte besuar që të vepronte vetëm si një sekser i tij në biznesin e shitjes së vizave. Haraqija akuzohet se kishte siguruar për Ukë Rugovën klientë që kërkonin viza italiane.
“Roli i Astrit Haraqisë ishe për të siguruar klientët për grupin. Dëshmitarë të shumtë kanë dhënë prova se ai ishte duke rregulluar viza italiane Shengen për ta”, thuhej në aktakuzën për të cilën kishte raportuar Insajderi.
Po ashtu Haraqija si i akuzuar përmbante problem edhe për hetuesit e EULEX-it. Kishte kontakte të shpeshta me dëshmitarët e ftuar për intervistim, të cilët ishin pajisur me viza. Brenda më pak se një muaji kishte biseduar 14 herë me një prej dëshmitarëve të ftuar për intervistim nga hetuesit e EULEX-it.
I kontaktuari nga Haraqija nuk ishte shfaqur në zyrat e EULEX-it, në ditën kur ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e tij.
Dyshimet e EULEX-it për ndikimin e Astrit Haraqisë në dëshmitarë
Hetimi ndërkombëtar prej 26 muajsh kishte zbuluar se djali i presidentit Ibrahim Rugova, Uka, dyshohet se është i përfshirë në veprat më të rënda kriminale. Ai, pos biznesit të paligjshëm me viza, dyshohet se ka lidhje me trafikim ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Puna e ndërkombëtarëve me rastin e Harqisë ishte ndërprerë në fillim të këtij viti. Në janar rasti nga Eulexi kishte kaluar tek vendorët. Që nga atëherë deri më tani është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore.
Megjithatë tashmë Harqija ka një betejë tjetër – ngjitjen në pushtet të ATK-së. Ai ka konfirmuar se ka aplikuar për të parin e këtij institucioni.
Ai ka thënë se ka shtatë vite pa punuar. Ka insistuar se i plotëson të gjitha kriteret si dhe ka thënë se nuk është asnjëherë i dënuar.
“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef,tri e gjysmë ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë, i dënuar s’jam”, tha Haraqija për Insajderin.
Harqija ishte përfshirë edhe në zgjedhjet e fundit ku për krijimin e Qeverisë Haradinaj kishte qenë mjaftë e aktivë në sigurimin e votave. Po ashtu kishte qenë në takimin e Haradinajt me deputeten e LDK-së Teuta Rugova, motrën e Ukës./Insajderi.com
Haraqija: Po konkuroj për drejtor të ATK-së, nuk jam i dënuar