O’Connell: Demarkacioni përcakton ku ndodhet kufiri, jo “ku duhet të jetë”

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, thotë se marrëveshja e demarkacionit e cila do të dërgohet nesër për votim në Kuvendin e Kosovës ka konfirmuar kufijtë aktual mes dy vendeve.

O’Connell: Demarkacioni përcakton ku ndodhet kufiri, jo “ku duhet të jetë”

Sipas ambasadorit, demarkacioni në fakt përcakton ku ndodhet kufiri dhe jo ku duhet të jetë, duke iu referuar kështu kundërshtimeve të opozitës.

“Çështja e demarkacionit të kufirit është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Askush nuk i ka kërkuar Kosovës të ndryshojë kufirin e saj me Malin e Zi. Askush nuk e ka detyruar Kosovën të jap tokë. Marrëveshja konfirmon kufijtë aktual; demarkacioni përcakton ku ndodhet kufiri, jo ku ‘duhet’ të jetë”, ka thënë ai.

Ambasadori britanik po ashtu ka folur edhe për korrupsionit dhe nepotizmin, që sipas tijë janë kancer që po e shkatërrojnë Kosovën.

Përveç kësaj ai ka shtuar se korrupsioni dhe nepotizmi janë duke e shkatërruar Kosovën dhe se ai i kupton pse qytetarët e saj nuk kanë besim në institucionet e tyre.

“Kultura e pandëshkueshmërisë ende i lejon politikanët e lartë të vazhojnë me krimin. Nëse kjo vazhdon, do të shkatërrojë shtetin. Unë e kuptoj pse qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në institucionet e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë kundër këtyre çështjeve”, ka shkruar ai në llogarëin e tij në Facebook.

Përveç kësaj, ai ka përmendur edhe dhunën politike si dëmtues të zhvillimit të shtetit.

“Dhuna politike shkatërron shtetin poashtu. Kosovarëve me siguri ju kujtohet, më mirë se mua, dhuna politike dhe vrasjet e pas luftës, si dhe kaosi dhe frika që ishte shkaktuar në Kosovë. Duke i deklaruar njerëzit tradhtarë dhe armiq të shtetit sepse ata nuk pajtohen me ju, do të dëmtojë diskursin politik. Do të dëmtojë liritë për të cilat Kosova luftoi për aq kohë. Duke kërcënuar dhe duke përdorur dhunë do ta kthej Kosovën prapa në ditët e errëta të vrasjeve politike”, ka shtuar ai./Insajderi.com