Deputeti i LDK-së, Naser Rugova ka reaguar në një postim në facebook, pas raportimit të Insajderit për mungesën e tij në seancën kur u votua rezoluta e LDK-së.
Në postimin e tij ku ka drejtuar akuza edhe për Insajderin, Rugova ka publikuar fotografinë e vizës ku shihet se e ka marrë më datën 30 tetor.
Insajderi ka arritur të kuptojë se ambasada e Hungarisë nuk kishte punuar më datën 1 nëntor, ditën që Rugova fillimisht kishte thënë se ka shkuar për të marrë një vizë.
Përderisa, Insajderi është duke pritur edhe një përgjigje zyrtare nga kjo ambasadë.
Rugova ka dhënë deklarata krejtësisht të ndryshme për këtë temë.
Ditën kur nuk mori pjesë në votimin e kësaj rezolute, kishte thënë se ka pasur termin për vizë.
“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë. I kam njoftuar edhe kolegët e grupit. Unë kam qenë deri 15 minuta para votimit, sepse kam vazhduar me taksi për në ambasadë. S’kam qenë fare i pranishëm në votim” kishte thënë Rugova për Express.
Por deklaratë tjetër dha Rugova sot për Insajderin. Ai tha se ka pasur një takim të nivelit të lartë.
“Unë kam pas një takim, e kam kry punën teme dhe nuk kam obligim për takimet dhe formën që e kam pasur. Unë e kam dhanë sqarimin tim publik dhe jemi në rregull. Unë jam kanë në një takim në lidhje me viza, por edhe me një takim tjetër të një niveli pak më të lartë se vizat. Jemi në rregull, nuk kam obligim me bo publik. Shefi grupit paralmentar ka qenë i informuar dhe jemi në rregull. Ju e keni punën e juve, unë e kam dhënë sqarimin tim publik”, deklaroi Naser Rugova për Insajderin.
Më 1 nëntor kur ishte votuar rezoluta e LDK-së, veç Rugovës kishte munguar edhe Anton Çuni, Korab Sejdiu e deputetë tjerë. /Insajderi.com