I akuzuar se e rrahu djalin e tij të mitur për vdekje, Gani Bernjashi nga Karaçeva e Ulët, ka dalë para Gjykatës në Gjilan për t’u përballur me akuzën për vrasje të rëndë.
Sipas aktakuzës, Bernjashi me veprimet e tij mizore, e ka mbytur djalin e tij të mitur pas një rrahjeje që ia kishte bërë natën e 23 majit të këtij viti.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarët Aziz Shaqiri kryetar, dhe Naser Maliqi e Veli Kryeziu anëtarë, i kërkoi të pandehurit të deklarohet rreth pranimit ose jo të fajësisë.
“Veprën e kam kry por nuk jam mirë me krye, kam gabu shumë”, tha i pandehuri.
Më tej ai tha se nuk e ka pasur për qëllim ta mbyste djalin.
“Nuk kam pasë qëllim me mbytë djalin. Cili prind normal e mbytë fëmijën e vet? Por veç kam dashtë me tutë”, tha Gani Bernjashi.
Pas një konsulte me mbrojtësin e tij, avokatin Begzad Hajrullahun, i akuzuari deklaroi: “Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale e cila më vihet në ngarkesë”.
Pas përfundimit të fjalës hyrëse të palëve, gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Në këtë seancë dëshmi dhanë Safete Bernjashi, gruaja e të akuzuarit, Naime Bernjashi, vajza e të akuzuarit dhe në fund vëllai i tij, Muharrem Bernjashi.
Safete Bernjashi gjatë dëshmisë së saj pohoi se qëndron pranë deklaratave të dhënë më herët në Prokurori.
Më tutje ajo rrëfeu për ngjarjen që ka ndodhur në natën kritike.
“Unë jam kanë te shpia kur Gania ia ka lidhë me shami të kuqe por edhe me një tojë këmbët, duart por edhe qafën e djalit tani të vdekur”, filloi ajo dëshminë në rastin e mbytjes së djalit të saj.
Tutje, Safetja tha se bashkëshorti e rrahu djalin pasi ky i kishte disa para prej shtëpisë. Shumën e parave, tha ajo, nuk e di.
“Gania ka folë me djalin dhe i ka thënë pse po rren, mos um merr shumë pare, shko rreje dikënd tjetër. Pastaj, unë i kam thënë Ganisë që mos e prek djalin. Por ai ka vazhdu me i mëshu me një zorrë të plastikës dhe një atllagi. Ganiu ka vazhdu me ato mjete me e goditë në shpinë, në këmbë dhe në krye dhe djali bërtiste gjatë goditjes”, deklaroi dëshmitarja.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Aziz Shaqiri, se a e ka rreh edhe më herët djalin Ganiu, dëshmitarja tha: “Asnjëherë përpara s’e ka rreh djalin Gania, as mue jo, por Naimen e ka rreh nganihere”.
Prokurori i shtetit e ballafaqoi dëshmitaren me deklaratën e dhënë në Prokurori të datës 8 qershor 2018, ku në pyetjen e prokurorit se a ka pasur mundësi ta thirrte dikë për të ndërhyrë që Ganiu mos të vazhdojë rrahjen e djalit, dëshmitarja ishte përgjigjur se “jo, nuk kemi guxu prej Ganiut sepse jemi frikësu se ai po na rreh edhe neve, sepse ka ndodhë edhe përpara i ka rreh fëmijët nganjëherë”.
Dëshmitarja për këtë u pyet se cila është e vërteta tani, ajo që keni thënë në Prokurori apo tash në Gjykatë?
“E vërteta është ajo që thashë sot në gjykatë”, u përgjigj dëshmitarja Safete Bernjashi.
Ajo më tutje tregoi se në momentin kur e ka rrahur Gania djalin e ka dëgjuar kur i ka thënë: “Ku i ke lënë paret?” dhe “Djali i ka thënë se nuk i kam marrë”. “Derisa e ka rreh djalin Gania unë kam qenë brenda”, tha dëshmitarja Safete.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Begzad Hajrullahu se kur ka fillu Gania me e rreh djalin, çka ka bërë djali, dëshmitarja u përgjigj dukë thënë se djali u kanë shumë i smutë dhe nuk ka fol shumë, se ka pasë probleme me fyt.
Ajo më tej theksoi se kur Ganiu e rrihte djalin, ajo ka provuar t’i ndante dhe ta largonte Ganiun por s’kam mundur.
“Kur e ka pa Gania djalin që nuk është mirë dhe nuk mundte të folte, atëherë ai bashkë me Muharremin dhe vajzën Naimen me kerrin e Ganisë e kanë çu te mjeku”, tha dëshmitarja.
Në pyetjen shtesë të mbrojtësit të të akuzuarit kur Ganiu e ka parë djalin se nuk është mirë a ishte bërë merak, dëshmitarja u përgjigj: “Ai jo, kurse unë po”.
Situata në këtë moment u tensionua pasi i akuzuari Gani kërcënoi duke iu drejtuar me gisht gruas së tij me fjalët: “mos rrej, dhe ti mos më prit kur të vi në shpi, shko te baba jot, ti je e nënta gru e këtu s’ke vend”.
Pastaj në pyetjen e gjyqtarit Naser Maliqi se pse derisa Ganiu po e rrihte djalin pse nuk keni dalë jashtë për me marrë ndonjë mjet në mënyrë që me ndal Ganiun, dëshmitarja u përgjigj: “Nuk kam guxu”.
Pas kësaj, edhe pse iu tërhoq vërejtja nga kryetari i trupit gjykues që të mos flasë pa ia dhënë lejen, i akuzuari Gani iu drejtua gjyqtarit Naser Maliqi por edhe trupit gjykues me fjalët: “Ti s’koke normal, asnjë prej juve s’koki normal, kurse unë jam shpijanik-domaqin”.
Gjykimi më tej, vazhdoi me marrjen në pyetjen të dëshmitares Naime Bernjashi.
Ajo përshkroi në mënyrë të detajuar situatën e natës kritike.
Naimja tregon se duke u kthyer nga shkolla, diku rreth orës 20:00 për në shtëpi, duke u afruar kishte dëgjuar disa zëra nga shtëpia e saj.
“Gjatë kohës deri sa jam afru dhe kam mbërri në shtëpi, kam dëgju zë në formë të bërtimës edhe atë nga shtëpia ime, por nuk e kam dalluar se zëri i kujt është. Kur kam hyrë në shtëpi, e kam pa vëllanë i cili kishte pasur disa shenja në trup dhe se i njëjti nuk kishte pasur maicë të veshur, dhe kur jam hy në dhomë ai ka qenë duke qëndru në këmbë dhe unë e kam pyet se çka u ba, kurse ai kurrgjë nuk ka folë. Pastaj kur është kthy brenda babai më ka rreh edhe mua pak”, deklaroi duke qarë dëshmitarja Naime.
Më tutje Naimja tregoi se fillimisht kur ajo është kthyer në shtëpi babai i saj me një zorrë të plastikës me ngjyrë të zezë në dorë iu kishte drejtuar me fjalët: pse ke marrë pare dhe më ka rreh pak, duke më goditur me këtë zorrë dhe atë ku ka mujt”, tha dëshmitarja Naime Bernjashi.
Ndër të tjera ajo deklaroi se më pastaj “babai pasi u bind që unë s’i kam marrë paret, filloi ta rrahë edhe vëllain, dhe e kam dëgjuar duke i thënë: pse i ke marrë paret, ndërsa vëllai im nuk e ka pranu asnjëherë që i ka marrë paret. Unë i kam dëgjuar britmat e vëllait nga rrahja që ia bënte babai im”, deklaroi dëshmitarja Naime.
Gjatë dëshmisë së saj ajo tregoi edhe momentin kur ka shkuar në dhomën e vëllait të saj pas rrahjes dhe gjendjen shëndetësore të keqe në të cilën e kishte parë atë.
“Unë kam shku në dhomën ku u kanë vëllai im, dhe e kam pa që gjendja e tij shëndetësore ishte e keqësuar dhe ai kërkoi nga unë që me qitë jashtë dhe pasi e kam dërgu jashtë ai ka fillu të vjellë. Dhe pasi që e kam kthy në dhomë e kam vërejtë që kishte gjak në pjesën e prapme të kokës të cilën ia pastrova me një fashë, dhe kur ia pastroja gjakun ai nuk komunikonte me mua”, deklaroi dëshmitarja.
Ajo më tutje deklaroi se pas 4 apo 5 minutave e kam pa vëllain që gjendjen shëndetësore e ka të përkeqësuar dhe pulsin shumë të dobët.
“E kam thirrur në emër, nuk më përgjigjej dhe frymëmarrjen e kishte të vështirësuar. Pastaj, kam thirrur babën dhe i kam thënë hajde kalle kerrin dhe me çu te mjeku, e pasi që ai nuk vozitë natën, kemi shkuar e kemi thirrë axhën, Muharrem Bernjashi. Dhe kur është dalë xhaxhi Muharrem, babai i ka thënë hajde se djali jem është shumë keq dhe është rrëzu me motor. Këtë se vëllai është rrëzu me motor është ta them edhe unë sepse nëse ky ka thënë diçka unë u dashtë me ba të njëjtën e këtë e kam bërë ndoshta prej frikës”, tha në rrëfimin e saj Naime Bernjashi.
Për fund ajo deklaroi se babai i saj kishte punuar si lyps dhe para ngjarjes kritike ka marrë barna për qetësim dhe se për shkak të shtypjes së lartë të gjakut, kishte qëndruar në spital para do vjet.
Në fund dëshmoi edhe Muharrem Bernjashi i cili tregoi për ngjarjen kritike se si kishte ndodhur nga momenti kur ishin shkuar mbesa e tij Naimja dhe vëllai Ganiu për ta thirrur në shtëpi për t’i ofruar ndihmë për me dërgu djalin e Ganiut në Spital.
“Ganiu më ka thënë se djali ka bërë ndeshje me motor dhe kur kam shkuar unë në shtëpi të tij, ai më tha se djali ka vdekur”, rrëfeu dëshmitari.
Dëshmitari më tutje tregoi se si kur ishin kthyer me veturë të Ganiut nga spitali i Kamenicës, ku ishte konstatuar edhe vdekja e djalit, duke e lënë veturën në garazhin e tij, e kishte parë motorin në garazh pa asnjë defekt, varrë apo gërvishtje.
“Kur kam shku me lënë kerrin e Ganisë, në garazh e kam pa motorin aty dhe kështu që kam mendu se nuk është e mundshme që djali të jetë rrëzuar me motor, sepse në situata të tilla kur rrëzohet motori ai grrithet, e atë ditë ka pasur edhe shi dhe ka motori kur rrëzohet mund t’i ngjitet edhe baltë por që nuk kishte”, deklaroi Muharrem Bernjashi.
Ky dëshmitar më tej tregoi se gjatë kohës sa e ka dërguar me veturë djalin në spital Ganiu nuk ka folur asgjë dhe nuk ishte i shqetësuar aspak, duke shpjeguar se ai gjatë këtyre momenteve as që e ka prekur djalin e tij ndonjëherë e as që ka fol me të po as ndonjë veprim tjetër.
Në pyetjen e gjyqtarit Naser Maliqi, se prej nga çfarë është shkaktuar vdekja e djalit të Ganiut, dëshmitari u përgjigj duke deklaruar se “djali ka vdekë prej goditjeve nga ana e Ganiut”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gani Bernjashi akuzohet se ka kryer veprën vrasje e rëndë sepse më datë 23 maj 2018, në shtëpinë e tij, me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore, djalin e tij të mitur, i moshës 14 vjeçare, në atë mënyrë që pasi i kishte kërkuar sqarime lidhur me mungesën disa të hollave në vlerë prej 1.500 eurove dhe mosmarrjes së përgjigjes për to, e ka goditur me forcë së pari me një shufër plastike-gyp uji, e më pas me një shkop druri në formë “atllogisë” në kokë dhe pjesë të tjera të trupit herë pas here përkatësisht me disa ndërprerje dhe atë që nga ora 18:00 e deri diku në orën 23:00, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas Prokurorisë, i pandehur Gani Bernjashi, pasi e vëren se djali i tij po humb shenjat e jetës, e ka thirrur vëllain e tij duke i kërkuar ndihmë që të dërgohet djali i tij në QKMF në Kamenicë, duke i thënë se kinse djali është lënduar nga të drejtuarit e motoçikletës-skuterit. Kurse me të arritur në spital, mjeku kishte konstatuar se viktima tashmë ka ndërruar jetë.
Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë më 20 nëntor 2018, ku do të procedohet me marrjen në pyetje të të akuzuarit Gani Bernjashi. /kallxo.com