Seanca për të akuzuarit në rastin Pronto është caktuar të mbahet sot. Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti e të tjerët do të deklarohen për fajësinë apo pafajësinë e tyre në këtë rast.
Të akuzuar nga prokuroria janë edhe Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj dhe Rexhë Abazi.
Të njëjtit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë punësuar njerëz në mënyrë të kundërligjshme.
Seanca fillestare e 1 tetorit, e thirrur nga gjyqtari Shasivar Hoti kishte dështuar përshkak se disa nga të akuzuarit nuk kishin marrë pjesë në seancë.
Gazeta Insajderi kohë më parë ka publikuar përgjimet ku dëgjohen Grabovci dhe të tjerët duke diskutuar për punësimin e njerëzve në bazë të preferencave partiake.
Në mesin e tyre ishte emërimi i prokurorit Bahri Hyseni si anëtar i KOST-it, pa asnjë kriter.
Nga këto përgjime doli se edhen kryeprokurori Sylë Hoxha ishte zgjedhur nga PDK-ja.
Buja e kishte ndarë pozitën për Fatmir Arifin të cilin e kishte sjell nga Amerika, derisa Grabovci donte që në këtë pozitë të sistemohej, Ramadan Gashi, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt.
Nga përgjimet vërtetohej kontrolli i plotë i zyrtarëve të PDK-së në ndërmarrjet publike.
Adem Grabovci e Besim Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre. Një seri përgjimesh telefonike të Grabovcit dhe Beqajt dëshmojnë këto plane që ishin finalizuar me emërime.
Dy vite pasi u publikuan këto përgjime, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në rastin Pronto.