Është një ndër burgjet me sigurinë më të lartë në vend, ashtu siç e ka edhe emrin. Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës është hapur në maj të vitit 2014, kur ka filluar edhe pranimin e të dënuarve të kategorizuar me rrezikshmëri të lartë dhe shumë të lartë, që janë të përcaktuar për ta vuajtur dënimin në këtë burg. Aktualisht në këtë burg janë duke e vuajtur dënimin rreth 160 të burgosur, secili prej tyre i dënuar me mbi 15 vjet heqje lirie.
Numri i të burgosurve këtu dallon nga vendimet e gjykatave dhe të dënimeve që përcaktohen. Kapaciteti i Burgut të Sigurisë së Lartë arrin deri në 390 të burgosur. Të dënuar për “Vrasje”, “Vrasje të rëndë”, “Terrorizëm”, “Rrëmbime”, “Grabitje” e shumë vepra të tjera nga më të rëndat të burgosurit këtu kanë kushtet dhe të drejtat pothuajse të njëjta me të burgosurit në Bashkimin Evropian.
Ky burg ndahet në tri pavijone, në pavijonin numër një (1) vendosen të burgosurit me rrezikshmërinë më të lartë në vend, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Edhe pse ka nivelin më të lartë të sigurisë, këtu të burgosurit një kohë shumë të mirë të tyre mund ta shfrytëzojnë jashtë dhomës.
Ky burg është i pajisur me sistemin e kamerave, i cili është shumë i avancuar, telat censurues, të cilët japin sinjalin kur çdo person i paautorizuar afrohet në zonën e palejuar.
Pasi hanë mëngjesin, i cili shërbehet nëpër dhomat e tyre, ku në secilën dhomë është i vendosur nga një i burgosur, nga ora 8:00 deri në orën 11:00 ata kanë të drejtë të dalin jashtë dhomës të argëtohen me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë fitnesin, shahun dhe aktivitete tjera sportive që i ofron ky burg.