Çmimi i naftës, benzinës në Kosovë dhe krahasimi me vendet e rajonit

Çmimi i naftës, benzinës në Kosovë dhe krahasimi me vendet e rajonit

Kosova i ka çmimet e karburanteve më të lira se sa Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, por vetëm çmimi i benzinës është më i lirë në Maqedoni krahasuar me Kosovën.

Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një bisedë me Insajderin. Berjani ka thënë se çmimi i naftës në Kosovë është 1.21 euro për litër, ndërkaq çmimi i benzinës është 1.22 euro për litër.

Ai ka thënë se krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, pa përfshirë Maqedoninë, Kosova ka çmimet më të volitshme të karburanteve – edhe pse këto çmime janë shumë të larta krahasuar me pagën minimale dhe mesatare në vend, raporton Insajderi.

“Sa i përket çmimit të derivateve në Kosovë dhe shtetet në regjion, Kosova ka çmimet më të ulta në regjion”, ka thënë Berjani për Insajderin. “Më të ulëta se Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia dhe Serbia; vetëm Maqedonia e ka pasur naftën më të lirë por tash është i njëjtë sikurse në Kosovë, por benzina është me çmim më të lartë në Kosovë”.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se “çmimin e derivateve e përcakton BERZA , përveç saj çmimin e përcakton edhe organizata botërore prodhuese”.

Berjani ka treguar edhe arsyet e rritjes së çmimit të karburanteve në vend. Ka thënë se çmimi i karburanteve rritet në raport me sasinë e prodhimit të naftës.

“Kur ka prodhim më të vogël çmimi është më i lartë. Për momentin prodhimi është më stabil edhe tek ne në Kosovë. Kemi çmim stabil që një kohë të gjatë i kemi këto çmime në treg”, ka thënë Berjani për Insajderin, teksa është shprehur se qytetarët e Kosovës kanë shërbime të mira të karburanteve.

Kosovarët kanë pagën mesatare vjetore në nivele shumë të ulëta, por çmimin e karburanteve e kanë shumë të lartë, nëse krahasohet paga mesatare vjetore dhe çmimi i karburanteve. Një çmim të ngjashëm nafte me Kosovën ka edhe Uruguai, por atje paga është pothuajse katër herë me e lartë. /Insajderi.com