Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i Qeverisë për të rritur për 100 për qind taksën ndaj prodhimeve serbe, ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia.
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Haradinaj është shprehur se Serbia ka penguar vazhdimisht lëvizjen e lirë të mallrave. Ka thënë se shteti i Serbisë i ka vendosur prej kohësh një taksë jo-tarifore për prodhimet kosovare.
“Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s”, ka thënë Haradinaj.
“Kjo taksë tanimë është realitet dhe duhet të respektohet. Nëse shkoni deri në Tropojë dhe në Kukës, nuk ka mallra serbe por ka plot mallra dhe jetohet mjaft mirë”, është shprehur ai. /Insajderi.com