Nënkryetari i Listës Serbe zgjeron biznesin e tij në Serbi

Nënkryetari i Listës Serbe zgjeron biznesin e tij në Serbi

Nënkryetari i Listës Serbe dhe njeriu që besohet se ka pushtet të madh në veri të Kosovës, Milan Radoiçiq, ka zgjeruar operacionet e tij biznesore në Serbi duke u bërë bashkë-aksionar i një ndërmarrjeje ndërtimore me një serb tjetër të Kosovës, Zvonko Veselinoviqin.

Radoiçiq është bërë bashkë-aksionar në kompaninë ndërtimore Inkop në Serbi, e cila më parë është raportuar të jetë e lidhur me Veselinoviç, raporton BIRN.

Më parë, në kompaninë Inkop figuronte pronare Dushica Maksimoviq, motra e Zvonko Veselinoviqit, e cila dyshohet se vepronte si mbulesë për vëllanë e saj.

Gjatë javës së kaluar, ajo i ka shitur zyrtarisht 40 përqind të aksioneve të kompanisë për Radoiçiqin dhe Veselinoviqin. Të dy serbët e Kosovës kanë ndarë nga 20 për qind të aksioneve të kompanisë me njëri-tjetrin, ndërsa 20 për qind të tjera të aksioneve i kanë mbetur Zharko Veselinoviqit, vëllait të vogël të Zvonko Veselinoviqit.

Po ashtu në muajin shtator të këtij viti, Milan Radoiçiq u emërua përfaqësues i Klubit të Futbollit Trepça, me seli në veri të Mitrovicës.

I pyetur lidhur me zgjerimin e biznesit të tij në Serbi, Radoiçiq nuk pranoi të fliste për mediumin BIRN.  “Vërtetë mendoni se kam kohë, me gjithë respektin, t’ju shpjegoj se si i kam blerë [aksion]?”, ka thënë Radoiçiq.

Kompania Inkop kishte një fitim bruto prej rreth 7.7 milion euro në vitin 2017 dhe më shumë se 9.5 milion euro në vitin 2016. /Insajderi.com