Stevanoviq: Pres prej BE veprime konkrete e jo vetëm deklarata

Ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se pret nga Bashkimi Evropian veprime konkrete, e jo vetëm deklarata pas vendimit të Qeverisë së Kosovës t’i rrisë taksat në import të mallit nga Serbia në 100 për qind.

Stevanoviq: Pres prej BE veprime konkrete e jo vetëm deklarata

“Aksioni i Prishtinës është drejtuar në shtypje të serbëve në Kosovë”, ka thënë Stefanoviq për televizionin serb “Pink”.

Ai ka thënë se sjellja “e papërgjegjshme e Prishtinës sjellë jostabilitet në gjithë rajonin”.

Duke folur për dialogun e Kosovës dhe Serbisë, Stefanoviq ka pyetur se “cili është qëllimi i gjithë këtyre vendimeve të Prishtinës”.

Ai i ka falënderuar përfaqësuesit e gjithë vendeve të cilët kanë votuar kundër hyrjes së Kosovës në Interpol.

“Sa do të rrënohej kjo organizatë policore sikur Kosova të kishte hyrë në Interpol”, ka thënë Stefanoviq.

Përfaqësuesja e lartë e BE Frederica Mogherini ka deklaruar dje se Qeveria e Kosovës duhet t’i shfuqizojë vendimet për taksa në mallin nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, duke paralajmëruar rritje të taksave, në Twitter ka pretenduar se Prishtina duhet t’i mbrojë interesat e saja vitale, pasi Serbia po e vazhdon fushatën agresive në skenën ndërkombëtare dhe po e minon procesin e normalizimit./Insajderi.com.