Ndërsa Tirana dhe shumë qytete të vendit po përgatiten për festat e nëntorit duke dekoruar rrugët dhe sheshet me flamuj, në fakt duket se nuk jemi aq nacionalistë.
Shumë qytetarë kanë zgjedhur të kalojnë festat kombëtare jashtë vendit. Duke përfituar që janë 5 ditë pushim, pasi e mbyllin punën ditën e martë të javës që vjen, kryesisht ata që punojnë në administratën shtetërore kanë prerë biletat për të festuar jashtë vendit.
Ata që punojnë në agjensitë e udhëtimeve thonë se i kanë mbushur plot avionët për këto ditë.
Sipas mundësisë ekonomike apo edhe preferencave, ka plot grupe që do të udhëtojnë me autobusë drejt vendeve fqinje.
Drejt fqinjëve fluksi më i madh i atyre që shkojnë për pushime është me makinat e tyre, për këtë arsye të martën pasdite ose të mërkurën në mëngjes, në Hanin e Hotit, Muriqan apo Qafë-Thanë mund të gjeni shumë mjete në radhë.
Ndër vendet e preferuar në Evropë janë nga Çekia deri te Spanja, ku agjensitëe udhëtimit kanë bërë oferta ekonomike. Por, nga ana tjetër, kur kanë mbetur edhe tre ditë nga 28 Nëntori, edhe ata që kanë zgjedhur t’i kalojnë festat në Tiranë për arsye ekonomike ose jo, nuk i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë për të nxjerrë secili një flamur në ballkonin e tij./TCh