Molliqaj: Po zhvillohet luftë speciale kundër Vetëvendosjes

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, gjatë një konference për media, ka thënë se është duke u zhvilluar një luftë speciale kundër Vetëvendosjes.

Molliqaj: Po zhvillohet luftë speciale kundër Vetëvendosjes

Molliqaj ka thënë se kjo luftë po bëhet mes dy grupeve – në njërën anë nga ‘klani pronto’, i cili, sipas tij, e ka kapur shtetin; dhe në anën tjetër, janë qytetarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se “’Klani Printo’ ka për qëllim të vazhdojë jetën e vet duke e kapur shtetin dhe duke e shkatërruar të vetmen parti në opozitë që është Lëvizja Vetëvendosje”.

Sipas tij, Policia e Kosovës shpesh di të jetë e mbyllur për raste të caktuara duke thënë se ‘hetimet vazhdojnë’, kurse për Lëvizjen Vetëvendosje ata japin deklarime shumë shpejt për media.

Përmes një video-prezantimi, Dardan Molliqaj – sekretar i LVV-së, ka treguar lidhjet e njerëzve të politikës me ata të medieve, konkretisht të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ku një pjesë e tyre janë paraqitur edhe përmes përgjimeve të cilat i ka publikuar Gazeta Online Insajderi.

Ndër të përmendurit janë Luan Keka nga Drejtoria Anti-terrorizmit, për të cilin Molliqaj ka thënë se ishte njeriu kryesor në aksionin e bastisjes dhe arrestimit të gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes pak ditë më parë, dhe të cilët po akuzohen për terrorizëm.

Po ashtu, dyshimet e Lëvizjes Vetëvendosje janë edhe te tashmë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, për të cilin ka thënë se PDK-ja po mundohet ta zëvendësojë Adem Grabovcin.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po akuzohet për terrorizon për të vetmin qëllim – sepse nëse dyshohesh për vepër të tillë, atëherë të gjitha agjencitë ndërkombëtare që merren me këtë fushë, mund të ketë qasje në bisedat private e publike të Vetëvendosjes, madje edhe në telefonata, e-maile, facebook etj.

Duke folur për arrestimin e gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes ditë më parë, Molliqaj ka thënë se nuk është vërtetuar dhe as nuk do të mund të vërtetohet se ata aktivistë kanë pasur lidhje me sulmin ndaj Kuvendit, dhe akuzat për terrorizon që rëndojnë mbi ta./Insajderi.com