Biznesi i prostitucionit dhe kumarit në Kosovë është përhapur më shumë se kurrë. Miliona euro të drogës nga Shqipëria kanë hyrë në tregun e Kosovës. Lokale masazhi e bixhozi janë hapur thuajse në të gjitha lagjet e qyteteve të Kosovës. Ky lulëzim kumari, droge e prostitucioni duhet të ndalet tash. Sepse nesër do të jetë vonë. Mbretërimin në këtë vend me institucione të dobëta, të prekura nga korrupsioni, do ta kenë bosët e drogës nga Shqipëria të cilët janë të specializuar që secilën pengesë ta eliminojnë edhe me plumba e bomba.
Javën e kaluar mora një telefonatë nga një burrë i shqetësuar. Donte të më takonte për të me pyetur nëse është e vërtetë se në të gjitha “sallonet e masazhit”, ushtrohet prostitucion.
Ky fakt i interesonte prej shqetësimi.
Një familjar i tij kishte një sallon të tillë. Kishte ndërruar llafe të serta me të për këtë punë. Kishte dyshime të forta se edhe ai ishte i përfshirë në këtë biznes të pisët e ilegal, i fshehur prapa një biznesi legal – masazhi.
Shqetësimi i tij vetëm sa u rrit nga pyetja që mori – a beson se një popullatë gjysma e të cilës është e papunë ka nevojë për kaq shumë masazhe e seanca çlodhëse?
Salloni i familjarit të këtij burri, sikurse shumica e salloneve të tilla ushtrojnë prostitucion ilegal. Pra ofrojnë shërbime seksuale në këmbim të pagesave.
Prostitucioni – një prej bizneseve më të vjetra në botë, në Kosovë është ilegal. Masazhet që tashmë kanë lënë nën hije lokalet buzërrugësh me “Muzik’ live”, na janë futur nëpër lagje.
Mbi 10 të tilla i kam në lagjen time në “Kalabri”. Vajza të reja nga Kosova dhe Shqipëria, ekspozojnë asetet e tyre në ballkone lokalesh çdo moment që nuk kanë klientë.
Mbi 20 lokale tjera ushtrojnë veprimtari të bixhozit, shumica prej të cilave pa licenca të rregullta.
Por, si është e mundur që kaq lirshëm të ushtrohet një veprimtari e tillë ilegale në sy të të gjithëve?
Është dëshmuar tashmë në shumë raste se në disa prej këtyre bizneseve janë të përfshirë policë të Kosovës. Në këmbim të mbrojtjes nga hetimet – ata paguhen nga bosët e këtyre lokaleve prostitucioni.
Policët u tregojnë pronarëve për aksionet policore, kohën e zhvillimit të tyre. Gjatë asaj periudhe, në këto lokale ofrohet vetëm masazh – pa seks, tregon një prokuror që tashmë ka arritur të fus në burg një polic të përfshirë në prostitucion.
Thuajse asnjë krim me përmasa të organizuara nuk mund të zhvillohet në Kosovë pa përfshirje të policëve në të, nganjëherë edhe të prokurorëve.
Një pjesë të madhe të këtij tregu, përfshirë atë të bixhozit dhe ndërtimit e kanë kapur bosët e Shqipërisë, të cilët me shumat e mëdha të parave të drogës, kanë gjetur hisedarë kosovarë të fuqishëm, të lidhur me politikën.
Shfaqja kaq lirshëm e kësaj veprimtarie ilegale – shfaq edhe dobësinë e shtetit për të vënë dorë mbi shumë biznese ilegale të cilat në të shumtën e herëve kanë lidhje të ngushta me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Në kundërshtim të plotë me ligjin, shumë biznese të bixhozit fitojnë miliona euro. Disa subjekte, me licencë për 5 apo gjashtë pika bastesh, kanë hapur nga 60 lokale tjera ilegale.
Për pasojë, shteti humbë mbi 30 milionë euro në vit nga shmangia e tatimit dhe akcizëz.
Dikush, natyrisht se përfiton prej kësaj. Madje shumë. Disa komandantë, janë lidhur me këto biznese ilegale si mbështetje për të mos lejuar ATK-në dhe Doganën që të ushtrojnë kontrolle.
Pas vendimit për mbylljen e lojërave të fatit në Shqipëri, dhjetëra biznese kumari e prostitucioni ia kanë mësyrë Kosovës, ku po gjejnë një oazë të përshtatshme për zgjerimin e rrjetit të kumarit e prostitucionit.
Një pjesë e rreth 5 miliardë eurove të drogës në Shqipëri, tashmë ka hyrë në Kosovë. Me këto miliona droge e krimi, jo vetëm që kanë arritur t’ua mbushin xhepat me para atyre që duhej t’u vënin kontroll, por kanë shtuar rrezikun e krimeve të modelit të “Bllokut” të Tiranës.
Banditë, të lidhur me politikën në Kosovë janë bërë hisedarë të biznesmenëve të kumarit, drogës e prostitucionit që vijnë nga Shqipëria.
Gradualisht, paratë kanë nisur t’u fusin edhe në biznesin e ndërtimit të shumëkatësheve e lagjeve me vila luksoze, anëve të Gërmisë.
Ky lulëzim kumari, droge e prostitucioni duhet të ndalet tash. Sepse nesër do të jetë vonë. Mbretërimin në këtë vend me institucione të dobëta, të prekura nga korrupsioni, do ta kenë bosët e drogës nga Shqipëria të cilët janë të specializuara që secilën pengesë ta eliminojnë edhe me plumba e bomba./Insajderi.com