Një autobusi nga Serbia sot i është ndaluar hyrja në Kosovë, në pikë kalimin kufitar Jarinje. Autobusi po bartte 28 persona, kryesisht gra.
Lajmin" />

Policia tregon pse iu ndalua hyrja në Kosovë autobusit nga Serbia

Një autobusi nga Serbia sot i është ndaluar hyrja në Kosovë, në pikë kalimin kufitar Jarinje. Autobusi po bartte 28 persona, kryesisht gra.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi për media.

“Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 13:05, ia ka refuzuar hyrjen një autobusi të firmës ‘Kolasin Prevoz” me targa BG, i cili kishte ardhur si linje e lirë (jo e rregullt) nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, “në autobusin i cili kishte ardhur pa pasur linjën e regjistruar të qarkullimit, iu është refuzuar hyrja (28) njëzet e tetë personave, kryesisht të gjinisë femërore të cilat janë prezantuar si ‘Unioni i grave në Beograd’, të cilën e përfaqësonin gra me profesione të ndryshme”.

“Sipas informacioneve të siguruara dhe deklarimit të tyre, njëri nga qëllimet kryesore të kësaj vizite, e këtyre personave ka qenë mbajtja e një proteste në Mitrovicë Veri, andaj bazuar në procedurat e parapara ligjore, në pajtim me ligjin për kontroll dhe mbikëqyrje të kufirit, të njëjtëve iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, për arsye se kanë paraqitur kërcënim për rendin dhe sigurinë e vendit”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë drejtuesit të autobusit dhe përfaqësuesve të këtij unioni, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë.