“Drejtësia në rrjetin e merimangës” – punësimi i vajzës së Ismet Kabashit dhe mbrojtja e Enver Hasanit

“Drejtësia në rrjetin e merimangës” – punësimi i vajzës së Ismet Kabashit dhe mbrojtja e Enver Hasanit

Historia e punësimeve familjare në sistemin gjyqësor dhe prokurorial ka treguar se mund të rezultojë me favore të mëdha.

LEXO EDHE:

“Drejtësia në rrjetin e merimangës” – dokumentari i InDoks për ‘kapjen’ e sistemit të drejtësisë

Një rast të tillë e dëshmon punësimi i vajzës së ish-kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi në Gjykatën Kushtetuese, që aso kohe drejtohej nga Enver Hasani.

Në korrikun e vitit 2014, ish-kryetari  i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ishte nën hetime. Paraprakisht, në këtë gjykatë ishte punësuar vajza e Ismet Kabashit.

Atë kohë, Hasani kishte disa dosje të hapura në Prokurori. Por, vetë Kabashi ishte kujdesur që ato dosje mos të hetoheshin. Bile, edhe publikisht ishte kujdesur që të mohoheshin hetimet kundër Hasanit.

Prokuroria e Shtetit, kishte lëshuar një deklaratë me të cilën mohonte se kishte hetime penale kundër Hasanit.

Por dokumentet që kishte siguruar “Koha Ditore” dhe deklarata e EULEX-it dëshmonin për hetime, subjekt i të cilave ishte edhe Hasani. Pos hetimeve zyrtare, në Prokurori ekzistonin të paktën edhe katër kallëzime penale kundër Hasanit të cilat nuk ishin shqyrtuar nga Prokuroria.

Këtu mund ta shikoni dokumentarin e plotë:

InDoks | Drejtësia në rrjetin e merimangës

#Shpërndajeni InDoks | Drejtësia në rrjetin e merimangësDrejtësia e Kosovës është turthuruar në një rrjetë merimange me njerëzit që e drejtojnë atë.InDoks në këtë dokumentar do të shkojë thell në lidhjet që kanë prokurorë e gjykatës senjorë, me prokurorë, gjyqtarë, e punonjës të tjerë të rinj të sistemit të drejtësisë që po i fitojnë pa ndërprerë konkurset publike. Janë histori që nisin prej mbylljes së rasteve të rrahjeve nëpër shkolla për të bijtë e gjykatësve, e që prekin deri të ndikimet direkete në rastet më të mëdha të pasluftës, siç është aktakuza për veteranët mashtrues të UÇK-së e hetimi për “Dosjen e Shefave”-“Pronton”.Sa i kontrollon politika e sa i përcaktojnë politikanët dhe të ardhmen e tyre njerëzit që e udhëheqin sot drejtësinë? Si lidhen ata me Presidentin, Kryeministrin, e si poshtërohen nga ministra nën hetim për korrupsion?Janë këto disa nga pyetjet që do të marrin përgjigje të sonte në ora 20:10 në RTV Dukagjini dhe live ne Insajderi, në dokumentarin “Drejtësia në rrjetin e merimangës”, me autor Visar Duriqi

Posted by InDoks on Sunday, 2 December 2018

Gazeta kishte raportuar se Hasani në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kabashi në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesues i Këshillit Prokurorial ishin marrë vesh për këtë deklaratë, pas pyetjeve të dërguara gazeta. Gazeta kishte mësuar se pas pyetjeve që i kishte dërguar “Koha Ditore” në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarime nëse pjesëmarrja e Hasanit në kolegjin që kishte vendosur për kryeprokurorin e Shtetit përbënte konflikt interesi për shkak të hetimeve që po kryente Prokuroria kundër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kabashi i kishte garantuar se do të dilte me deklaratë për ta dëmtuar këtë. Pikërisht kjo kishte ndodhur. Një ditë më vonë kishte lëshuar një deklaratë me të cilën mohonte hetimet.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes kësaj Komunikate informon mediat dhe opinionin në Republikën e Kosovës, se i qëndron pranë njoftimit të lëshuar me datën 03 janar 2013, se ‘në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nuk është duke u përgatitur asnjë aktakuze apo janë duke u zhvilluar hetime ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, z. Enver Hasani, për kohen sa ishte Rektor i Universitetit të Prishtinës”, thuhej në deklaratë.

“Për më tepër dhe me qëllim të informimit sa më të drejtë të opinionit, kësaj komunikate ia bashkëngjisim njoftimin e Prokurorit të Shtetit të lëshuar me datën 03 janar 2013. Me datë 23 maj 2014, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar që rasti në të cilin përmendet emri ish Rektorit të Universitetit të Prishtinës, të merret në kompetencë të EULEX-it. Po ashtu,  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit konfirmon se nga informatat e  siguruara sot nga Zyra e Kryeprokurorit të EULEX-it, se nuk ekziston aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj z. Enver Hasani nga prokurorët e  EULEX-it”.

“Koha Ditore” kishte siguruar dosjen hetimore të Policisë së Kosovës kundër Albert Rakipit dhe Hakif Aliut. Hetimet kanë të bëjnë me një tender për libra që ishte dhënë nga Rektorati në kohën që udhëhiqej nga Hasani. Paraprakisht Hasani kishte punuar në kompaninë fituese. Gazeta kishte siguruar edhe një letër të kryeprokurores së EULEX-it, Jeroslava Novota me të cilën konfirmohet se EULEX-i e ka marrë lëndën për hetim bazuar në kërkesën e vetë Kabashit për ta marrë atë.

Pas shkuarjes në pension të Kabashit, ky rast ishte hapur dhe ishte ngritur aktakuzë. Hasani, është shpallur i pafajshëm. Prokuroria është ankuar se Gjykata ka qenë e anshme dhe nuk ka lejuar që provat kryesore inkriminuese – e-mailet zyrtare komunikimit mes Hasanit dhe Rakipit të administroheshin si prova, me arsyetimin se ato është dashur të nxirreshin me anë të masave të fshehta. Ky argument i Gjykatës askund nuk është i bazuar në Kod të Procedurës Penale, i cili thotë masat e fshehta mund të ndërmerren vetëm në raste kur provat nuk mund të sigurohen me anë të rrugëve tjera. /Insajderi.com

“Drejtësia në rrjetin e merimangës” – dokumentari i InDoks për ‘kapjen’ e sistemit të drejtësisë

Stema e dyshimtë në aktvendimin për rastin e Enver Hasanit