Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për ‘Deutsche Welle’ ka treguar bisedat që ka pasur me zëvendëskryetaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, e cila i kishte thënë se ShBA-ja vërtet e respekton sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për ‘Deutsche Welle’ ka treguar bisedat që ka pasur me zëvendëskryetaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, e cila i kishte thënë se ShBA-ja vërtet e respekton sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën.
Por ai nuk ka hezituar ta lidhë këtë me çështjen e territorit të Krimesë mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Zëvendëskryetarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland më tha se, ShBA investojnë prej rreth 20 vjetësh në pavarësinë e Kosovës. Unë e pyeta se si është e mundur kjo, kur në këtë kohë, ShBA e mbështesin edhe sovranitetin e Serbisë. Ajo tha se “Po, ne e kemi mbështetur vërtet sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën”. Unë iu përgjigja se “Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov më ka thënë të njëjtën gjë, – Rusia respekton sovranitetin e Ukrainës por pa Krimenë””, citohet të ketë thënë Ivica Daçiq gjatë intervistës për ‘Deutsche Welle’.
Çështjen e Kosovës ai e ka cilësuar si problem i së drejtës ndërkombëtare.
“Çështja e Kosovës nuk është e natyrës politike, por është një problem i së drejtës ndërkombëtare. Serbia nuk mund të pranojë që të jetë legale, kur një pjesë e territorit të saj pretendon pavarësimin pa miratim. Nesër kjo mund të kërkohet në një pjesë tjetër të botës. Merrni për shembull Kataloninë në Spanjë. Ata duan ta përsërisin shembullin e Kosovës, pa miratimin e Madridit”, ka thënë më tej Daçiq gjatë intervistës.
Ai ka thënë se Serbia është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por kjo të mos kuptohet si pranim i pavarësisë së saj.
“Kemi bërë shumë në dialogun me Prishtinën. Por Prishtina nuk i përmbush detyrimet që dalin nga procesi i normalizimit. Jemi ende shumë larg normalizimit të marrëdhënieve. Por normalizimi nuk përmban as edhe një grimë brenda, që ne do njohim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.