Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se shtyrja e liberalizimit të vizave më shumë ka të bëjë me rrethanat politike të Bashkimit Evropian (BE) sesa me Kosovën.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se BE-ja nuk i ka përmbushur premtimet si dhe ka shpërfillur Kosovën duke mos i liberalizuar vizat.
Megjithatë, Hoxhaj ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta vazhdojnë betejën që çështjen e vizave ta vendosin në agjendën e radhës të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Ai ka theksuar se përderisa deputetët e Parlamentit Evropian thonë se Kosova i ka përmbushur kriteret, vlerësimet në Prishtinë janë të paarsyeshme dhe kanë të bëjnë me luftën për pushtet e cila, sipas Hoxhaj, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, nuk i bën nder askujt.