Në ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme lajmëroi se kosovarët duhet të presin ende që të pajisen me targat e reja si pasojë e dështimit të tenderit për “Furnizim me targa per regjistrimin e automjeteve”, në Bruksel autoritetet kosovare dhe serbe po bisedojnë pikërisht për targat, por në një aspekt tjetër.
Tash e disa muaj asnjë qendër për regjistrim të automjeteve nuk posedon targa “RKS”, qytetarët janë pajisur me targa të përkohshme “Probation”.
Ato u mundësojnë qytetarëve qarkullim vetëm brenda territorit të Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Serbisë.
Por, përveç mungesës së targave RKS, është raportuar se ka mungesë edhe të targave provuese KS.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme është arsyetuar se mungesa e targave ka ardhur si rezultat i skadimit të kontratës së kompanisë për furnizim me targa, kurse lënda për përzgjedhjen e kompanisë është në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
E përderisa qytetarët vazhdojnë të presin, gjykata e tenderëve siç njihet ndryshe OSHP-ja ka bërë me dije për lajmi.net se janë duke i shqyrtuar ankesat për këtë çështje dhe se vendimi sipas tyre do të bëhet sipas afateve ligjore.
“OSHP ju njofton se lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me targa per regjistrimin e automjeteve” jane parashtruar tre ankesa, ka filluar shqyrtimi i pretendimeve ankimore vendimi do të dal brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas të gjitha gjasave qytetarët zor se do të pajisen me targa këtë vit, pasi deri te përzgjedhja e kompanisë e cila do të merret me prodhimin e targave RKS, do të duhet edhe pak kohë.
Por, për dallim prej kosovarëve Brukseli nuk pret për cështjen e targave.
Sipas medieve serbe, raundi i ri i bisedimeve Beograd-Prishtinë në nivelin teknik ka filluar të mërkurën pasdite në Bruksel.
Tanjug raporton se tema e bisedimeve të së mërkurës do të jetë ajo për lëvizje të lirë dhe për qarkullim të veturave me targa të Kosovës në territorin e Serbisë.
Sipas të njëjtave burime, ditën e dytë më 8 shtator do të mbahen takime për çështjen e diplomave dhe kadastrit, në 9 shtator takimi për vlerësimin e procesit të revitalizimit të urës së Mitrovicës pas heqjes së barrikadës, ndërsa në 13 shtator takimi i radhës për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës.
Gjatë tri ditëve të bisedimeve në Bruksel delegacionin e Beogradit e udhëheq drejtori i zyrës për Kosovë Marko Gjuriq ndërsa atë të Prishtinës ministrja për Dialog Edita Tahiri./Insajderi.com