Në muajin gusht të vitit 2017 Hasan Shala u zgjodh kryetar i Gjykatës së Apelit. Rreth një vit më vonë, Gjykata e Apelit e udhëhequr nga Hasan Shala, pranoi në punë si zyrtare ligjore Greta Ibrajn – vajzën e mikut të tij, Idriz Ibrajt, i cili para gjashtë vitesh e lavdëronte atë tek Adem Grabovci.
Burimi i fotografisë: Dosja e Shefave/ YoutubeNë dhjetor të vitit 2011, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pranoi një telefonatë nga avokati dhe miku i tij, Idriz Ibraj. Ai i sugjeronte Grabovcit që të mbështesë kandidaturën e Hasan Shalës për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Sipas Ibrajt, me këtë lëvizje, Partia Demokratike e Kosovës do të kishte një njëri të besuar “qeknena” duke iu referuar rajonit të Dukagjinit.
Biseda mes Grabovcit e Ibraj është pjesë e Dosjes së Shefave, një seri përgjimesh të publikuar nga Insajderi në vitin 2016, përmes së cilave argumentohet se si PDK ka ndikuar në emërimin e njerëzve të afërt me këtë parti në poste të rëndësishme të institucioneve publike.
“E pashë në gazetë qaty, se për një anëtar të Këshillit Gjyqësor duhet me qenë [dikush] prej Dukagjinit”, thotë Ibraj, dhe vazhdon: “A kish ba Hasanin me e shti aty?”
“Në daq me zgjidh problemin për qeknena, me e pas na një anëtar të fortë si me kanë i PDK-së”, vazhdon ai teksa tenton të bindë Grabovcin.
Grabovci pasi merr disa sqarime lidhur me këtë pozitë, i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Ibrajt. “Këqyr qysh shkojnë procedurat e më tregon, të lutem. Se qind për qind jam për Hasanin”, i thotë Grabovci, Ibrajt.
https://www.youtube.com/watch?v=X-9SVDQAEWM
Në muajin gusht të vitit 2017 Hasan Shala u zgjodh kryetar i Gjykatës së Apelit. Rreth një vit më vonë, Gjykata e Apelit e udhëhequr nga Hasan Shala, pranoi në punë si zyrtare ligjore Greta Ibrajn – vajzën e mikut të tij, Idriz Ibrajt, i cili para gjashtë vitesh e lavdëronte atë tek Adem Grabovci.
Greta Ibraj doli e para në konkursin për pranimin e dhjetë zyrtarëve ligjorë në Gjykatën e Apelit, në muajin maj të këtij viti.
Insajderi i ka dërguar pyetje Gjykatës së Apelit lidhur me punësimin e vajzës së Idriz Ibrajt, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me dyshimet për ndikimin e kryetarit të Apelit për punësimin e saj në Gjykatë. Por në një përgjigje për KTV-në para disa muajve, zëdhënësi i Gjykatës, Arbër Jashari, mohoi të ketë ndikuar dikush për punësimin e Greta Ibrajt në Gjykatë të Apelit.
“Kandidatja në fjalë ka hyrë në një garë si gjithë të tjerët. Në intervistën me shkrim ka dalë e dyta me 91 pikë, ndërkaq pas intervistave me gojë, ka marrë më së shumti poena prej të gjithë konkurrentëve”, kishte deklaruar Jashari.
Adem Grabovci, që pas disa protestave që pasuan publikimin e përgjimeve në shtatorin e vitit 2016 dha dorëheqje nga pozita e shefit të GP të PDK-së, ishte njeriu që kishte ndikuar që Sali Mekaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, të zgjidhej në këtë pozitë.
Njerëzit e PDK-së, të afërt me Grabovcin, dyshohen të kenë ndikuar edhe në zgjedhjen e Hasan Shalës në krye të Gjykatës së Apelit në vitin 2017.
Bazuar në biografinë e tij, Hasan Shala në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë ndërsa një vit më vonë u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë. Pasi ushtroi pesë vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit. /Insajderi.com