Komuna e Pejës, nuk do të shpenzoi as këtë vit asnjë cent për dekorimin e qytetit. Megjithëatë nga kjo komunë deklarohen se qyteti do të dekorohe..
Insajderi pak më para pak çastesh raportoi për shpenzimet e shtatë komunave më të mëdha të vendit për festën e fundvitit.
Sipas Durim Sheremetit, këshilltarit të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, kjo komunë ka arritur marrëveshje me bizneset që ato ta dekorojnë qytetin.
Thotë se bizneset kanë shfrytëzuar në ndërkohë hapësirat e komunës për promovim, andaj dekorimin e qytetit tash do ta bëjnë ato me vullnetin e tyre.
“ Komuna e Pejës nuk do të shpenzojë asgjë dhe as nuk kemi planifikua për shkak se kemi pasur që nga fillimi kontakte me bizneset dhe është vullneti i tyre që të bashkëpunojmë. Kemi pasur bashkëpunim gjatë gjithë vitit që kur ata kanë pasur nevojë për promovim apo reklamim kanë përdorur hapësirat e qytetit dhe për këtë kemi ndërtua këtë trup që do të koordinohet nga drejtori i financave të Komunave”, ka deklaruar ai.
Sheremeti thotë se arsyeja që Komuna e Pejës nuk do të shpenzoi është për shkak që dëshiron ta kursej buxhetin.
“Komuna e Pejës ka një iniciativë në bashkëpunim me bizneset për shkak që me e kursyer buxhetin, kështu që bizneset kanë me u taku të premten ku do të vendoset për detaje të tjera. Rrugët në qendër të Pejës do të dekorohen si dhe sheshi, por në çfarë forme do të vendoset nesër”, ka deklaruar Sheremeti.
Kujtojmë që as vitin e kaluar Komuna e Pejës nuk kishte shpenzuar për fundvit./Insajderi.com