Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se partia e tij do të vazhdojë betejën në Kuvend për të kërkuar avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në kushtetutë.
Sela, në Asamblenë e femrës së ASH-së ka thënë se qëllimi i vetëm i partisë së tij është forcimi i kapaciteteve politike të shqiptarëve.
“Ne nuk pranojmë definicione në kushtetutë siç janë bërë dikur që na titullojnë vetëm si pjesë populli që jetojmë këtu në Maqedoni. Sepse ne edhe kemi jetuar, edhe do të vazhdojmë të jetojmë këtu”, ka thënë Sela, përcjell Alsat M.
“Qëllimi i këtyre definicioneve dhe atij definicionit pa emër për gjuhën shqipe që ka karakterin dhe idenë e diçkaje të përkohshme, është që një ditë kur të mos jetojmë, të ngelë dhe të ndërtohet shtet një nacional maqedonas. Prandaj ne jemi këtu të organizuar politikisht, i ngjeshim radhët dita ditës në mënyrë që t’i pamundësojmë që këto padrejtësi të ndodhin”, tha Sela më tej.