Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë se janë tri aspekte të rëndësishme kur bëhet fjalë për transformimin e FSK-së në Ushtri, që pritet të ndodhë në seancën e 14 dhjetorit.
“Aspekti i parë që ka të bëjë me konsensus politik në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë është e qartë se kemi konsensus politik pothuajse në unanimitet dhe pastaj për fillimin e procedurave të mëtejshme”.
“Aspekti i dytë është ceremonia festive, pritja shtetërore për institucionet vendore dhe kontribuuesit në këtë proces”.
“Aspekti i tretë që ndoshta më i rëndësishmi është përgatitja e institucioneve dhe bashkërendimi me KFOR-in për të garantuar një ditë të qetë dhe të sigurt në mënyrë që asesi të mos ketë ndonjë realizim të ndonjë skenari negativ, qoftë të jashtëm prej strukturave të caktuara të Serbisë ose ndonjë aktori joshtetëror që ka synim nxitjen e tensioneve në Ballkan”.
Ramadani në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë që të pamundësohen, sipas tij, skenarët e mundshëm të Serbisë, dhe jo vetëm.
Ai ka thënë se kanë informacione për skenarë të ndryshëm.
“Është e qartë se institucionet e Kosovës në vazhdimësi marrim informacione dhe masim indikatorë për skenare të ndryshme që mund të kenë struktura të tilla të Serbisë, por jo vetëm të Serbisë”.
“Masat janë marrë që edhe ditëve e javëve në vijim të ketë siguri dhe stabilitet në gjithë territorin e Kosovës”.
“Është rritur niveli i masave në mënyrë që të mos ketë realizim të skenarëve për të cilët mund të them me përgjegjësi se jemi në dijeni për ekzistimin e skenarëve të ndryshëm”.
“Në vazhdimësi marrim informacione për skenare të ndryshëm që kanë për qëllim të vendosin Kosovën dhe institucionet e Kosovës në situata që Serbia ka dëshirë t’i paraqesë si situata agresore”.
“Sigurisht se institucionet e Kosovës nuk do të bëjnë asnjë veprim që dëmton shtetin e Kosovës, përkundrazi do të tregojë se ka sistem të vendosur mirë duke përfshirë edhe rolin vital të prezencës së KFOR-it”.
“Skenaret destabilizuues janë dëshmuar dhe do të dëshmohen të parealizueshme. Besoj se logjikat e tilla janë krejtësisht të dëmshme”.