Kur Vjosa Osmani e quante të rrezikshëm krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Kur Vjosa Osmani e quante të rrezikshëm krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës përmes ligjit e jo përmes ndryshimeve kushtetuese dikur shihej si tejet i rrezikshëm nga ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. E në anën tjetër refuzimi për të dhënë votën që do ta mundësonte krijimin e Ushtrisë së Kosovës konsiderohej mburrje nga deputetët e LDK-së.

Hasani dikur alarmonte se një veprim i tillë do të rrezikonte gjeneratat e reja të Kosovës. Kjo sepse, sipas tij, një ndryshim i tillë përmes Ligjit hap mundësinë për ndryshime të tjera me ligj dhe shkakton tollovi ligjore e kushtetuese, që mund të sjellin probleme të mëdha.

“Nuk mund të ndryshohet mandati i institucioneve kushtetuese pa ndryshime kushtetuese. Misioni përcaktohet me kushtetutë. Kushtetuta është misioni dhe vizioni i krejt sistemit”.

“Norma kushtetuese është norma më me vlerë dhe ndryshimi i kushtetutës në shumicën shteteve bëhet me shumicë të kualifikuar, që gjeneratave t’u lihen gjërat në vend”, thoshte Hasani në vitin e kaluar.

E ndryshimet kushtetuese për të krijuar ushtrinë, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani dikur i quante lojë të PDK-së. Ajo e ngiste zërin dhe përsëriste se LDK-ja mburret që nuk kishte lejuar një veprim të tillë.

Sipas saj, kjo kishte qenë një lojë e PDK-së për të krijuar Ushtrinë, ku pasoja sipas Osmanit do të ishte krijimi i pakicës serbe si grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo insistonte se pakicat serbe nuk kishin rënë dakord asnjëherë që ta votonin Ushtrinë e Kosovës, por ishin vetëm pretendime të PDK-së

“Në asnjë moment nuk ka pas garanci nga askush dhe në veçanti jo nga pakica serbe sepse ju flisni në emrin tyre. Nuk i leni ata të flasin se në qoftë se vazhdohen vendet e rezervuara ata do ta votonin ushtrinë. Përkundrazi ka qenë një kurth i ndytë, një kurth që keni dashur të na futni neve që të votohen edhe shumë më shumë vende për pakicat, sesa që i kanë tani”.

“Dhe a e dini cili ka qenë rezultati i mundshëm me atë dalje në përqindje të serbëve që e kishin në atë kohë, sot do t’i kishim grupin më të madh parlamentar, pakicat. Se tash ju i keni 23, deputet PDK-ja, keni menduar se gjithmonë do t’i keni 40, por sot i keni 23. Me atë logjikë keni menduar atëherë e jo që do t’i sillnit pakicat grupin më të madh se sa çdo grup tjetër shqiptar”.

“Ne si LDK mburremi po e përsëris mburremi që e kemi thënë se nuk pranojmë një kurth dhe një skenar të tillë, e para”, thoshte Vjosa Osmani në fillim të këtij viti kur ishte akuzuar nga Enver Hoxhaj se LDK nuk kishte dhënë votat për krijimin e Ushtrisë së Kosovës vetëm për shkak të meritave.

Madje ajo përkundër akuzave nga Hoxhaj, ajo thoshte se LDK është partia e vetme që ka seriozisht krijimin e Ushtrisë.

“Asnjëherë pakica serbe nuk ka thënë se do ta votojë ushtrinë, as atëherë e as tash. Ka pasur vetëm deputet individual deri më tash është dëshmuar se vetëm LDK e ka seriozisht krijimin e Ushtrisë së Kosovës”, thoshte Osmani teksa deputetët në Kuvendin e Kosovës kishin filluar të qeshin.

Por sot Vjosa Osmani krijimin e Ushtrisë së Kosovës po e quan ditë historike. Ajo po e quan të bekuar Kosovën që ka mbështetjen e SHBA-ve dhe shteteve të tjera.

“Besoj që gradualisht të gjitha shtetet anëtare të NATO-s do të binden për kontributin që ushtria jonë do të jep për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e shtetit më të fuqishëm në NATO, pra të SHBA-ve, dhe të shteteve të tjera të fuqishme si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar”.

“LDK i jep përkrahje të plotë procesit të transformimit të FSK-së, duke konsideruar si moment historik për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht etnisë, dhe për paqen e sigurinë në tërë rajonin tonë”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Krijimin e Ushtrisë së Kosovës në fillim të këtij të kaluar e kishte konsideruar të rrezikshme  vetë Vjosa Osmani.

Ajo inicativën e presidentit të vendit Hashim Thaçi e konsideronte si tejet të rrezikshme ku mes tjerash ankohej se nuk ishte konsultuar me LDK-në që në atë kohë udhëheqshin së bashku Qeverinë e Kosovës.

“Nuk është kjo çështje aq e thjeshtë dhe nuk është shaka. As nuk është koordinuar më LDK-në që është duke e udhëhequr bashkë Qeverinë. Qasje bajraktarizmi që shumë mirë e dimë si është duke përfunduar”, kishte thënë ajo.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës, nesër pritet t’i ndryshoj misionin Forcës së Sigurisë së Kosovës duke e shndërruar atë në ushtri të vendit. Deri më tani përveç Listës Serbe asnjë parti tjetër nuk është deklaruar kundër saj./Isajderi.com