Në fundin e muajit nëntor, Përparim Sadiku i kishte shpëtuar vdekjes në vendin e punës.
Punëtori i Bechtel Enkas kishte mbetur i varur dy orë në vinç si pasojë e rrëzimit të njërit prej trarëve të autostradës “Arbën Xhaferi”.
E kur ende s’kanë kaluar një muaj nga kjo situatë, Përparim Sadiku është anëtarësur në Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në facebook, Arianit Beqiri aktivist i partisë së Albin Kurtit.
“Në anën e majtë Përparimi është duke e parë vdekjen e tij me sy; ndërsa në anën e djathtë, sot, gjatë anëtarësimit në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Askush më mirë se Përparimi nuk i di nevojat e punëtorve, prandaj aktivizimi i tij për ne do të thotë përveç përvojë e guxim edhe dije praktike”, ka shkruar Beqiri.
Ndryshe Sadiku pas këtij rasti kishte thënë për Insajderin se momenti kur kishte mbetur i varur në vinç, ka qenë i tmerrshëm.
“Kam qenë mbi një trarë nga betoni i cili peshonte 130 tonë, e kam parë vdekjen me sy, kam kërkuar ndihmë, me pa mundësi për të më ndihmuar dhe nuk kam besuar që jam gjallë deri vonë”, kishte rrëfyer Sadiku për Insajderin.