Një rekomandim i Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese, që në Prishtinë duhet të ketë përsëritje të balotazhit, ka bërë që në kampin e Arban Abrashit të ketë festë.
Burime të Gazetës Insajderi brenda LDK-së kanë bërë të ditur se Komisioni i Venecias ka rekomanduar përsëritje të procesit zgjedhor në kryeqytet, pasi kanë evidentuar disa shkelje.
Komisioni i Venecias kishte kërkuar kohë nga Gjykata Kushtetuese për një mendim shtesë, në lidhje me ankesën e Arban Abrashit që ishte kandidat për kryetar të Prishtinës.
Kjo ankesë kishte të bënte me disa shkelje që LDK pretendonte se janë evidentuar gjatë procesit zgjedhor në balotazh më 19 nëntor 2017.
Opinioni i Komisionit të Venecias nuk është obligativ për Gjykatën Kushtetuese, gjykatë e cila pritet ta jap një vendim përfundimtar brenda ditësh.
Ndërkohë, burime të sigurta të Insajderit kanë konfirmuar se kandidatët Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti janë sinjalizuar lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias dhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese.
LDK-ja ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar në marsin e këtij viti.
Aso kohe Arban Abrashi kishte thënë se ankesën e tij e ka të bazuar në dy nene, të cilat Gjykata Supreme sipas tij nuk i kishte trajtuar si duhet.
“Ankesa kushtetuese ka të bëjë me dy nene themelore, që ka të bëjë e drejta zgjedhore dhe pjesëmarrjes, si dhe mbrojtja gjyqësore sepse ne mendojmë që disa vendime të cilat janë marrë nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme nuk i kanë trajtuar ankesat si duhet. Sipas disa juristëve të cilët e kanë trajtuar vetë lëndën mund të thuhet se janë vendime edhe arbitrare karshi të drejtave tona”, kishte thënë Abrashi.
Vlen të theksohet se Komisioni i Venecias është Komision Europian për Demokraci nëpërmjet ligjit. Orgaizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese.
Ky komision ofron ndihmë kushtetuese për shtete të veçanta në lidhje me tema të ndryshme. /Insajderi.com