Viti i korrigjimit!

Viti i korrigjimit!

Viti që po lëmë pas nisi me temën e korrigjimit të kufirit, dhe po përmbyllet me temën e njëjtë. Kanë ndryshuar vetëm fqinjët për vijëzimin e kufijve. Përderisa në shkurt u arrit marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, që nga qershori në politikën kosovare ka dominuar një temë: korrigjimi si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.

21 marsi i vitit 2018 ishte fundi i një sage më shumë se 3 vjeçare në politikën kosovare. Pikërisht me këtë datë, 80 deputetë i thanë po ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeministri, Ramush Haradinaj dhe vartësi i tij, Fatmir Limaj që dikur protestonin së bashku kundër kësaj teme, u bindën ta votojnë marrëveshjen e kufirit, pas një deklarate mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi.

Një ditë para 10 vjetorit të pavarësisë, më 16 shkurt dy presidentët kishin nënshkruar një marrëveshje që pastaj i hapi rrugën votimit të demarkacionit.

Thaçi e Vujanoviq u zotuan se pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës, kufiri ndërmjet dy shteteve do të korrigjohet nëse ka pasur gabime.

“Palët pajtohen se gjatë këtij procesi, Trupi i Përbashkët Punues do të intensifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit. Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”, thuhej në njërën nga pikat e marrëveshjes.

Por 9 muaj pas votimit nga deputetët, korrigjimi apo korrektimi i kufirit ende nuk shihet në horizont.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kohë më parë kishte thënë se ka punë më të rëndësishme me të cilat duhet të merret.

Përmendi liberalizimin e vizave, por edhe ky premtim i kahmotshëm dështoi.

“I jemi shumë falënderues Malit të Zi që marrëveshjen për kufirin dhe për gatishmërinë që marrëveshjen për kufirin ta trajtojmë në përputhje me atë që jemi marrë vesh, që është korrigjimi në dy drejtimet, Çakorr dhe Kullë. Kjo për këtë do të jetë koha kur ne e përcaktojmë. Nuk jemi në presion kohor për këtë për shkak se ne i kemi disa tema të tjera që i kemi shumë me rëndësi tani, siç është liberalizimi i vizave”, ka thënë Haradinaj.

Për këtë arsye, qeveria aktuale është kritikuar mjaft shumë nga opozita, e sidomos Vetëvendosja, e cila ka akuzuar Haradinajn për ndryshim të qëndrimeve.

Kurse në anën tjetër Komisioni Qeveritar për Rishikimin e Kufijve, kishte thënë se “topi” është kah pala malazeze.

“Ne si komision kemi mbaruar punën dhe jemi në pritje të hapjes së mundësisë për t’u ulur dhe për të dialoguar me palën malazeze për çështjen e kufirit”, kishte thënë Shpejtim Bulliqi.

Viti nisi dhe përfundoi me korrigjim:

Mali i Zi nuk ishte shteti i vetëm me të cilin Kosova po synon ta korrigjojë kufirin. Që nga qershori i këtij viti, presidenti Thaçi solli një ide të re: korrigjimin e kufirit me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes me shtetin serb.

Në sqarimet e tij gjatë konferencave pothuajse të përditshme për media, presidenti thoshte se po synon bashkimin e Luginës me Kosovën.

Korrigjimin nuk e shihte si ndarje e as shkëmbim të territoreve, por “vijëzim të kufirit”.

“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. “Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë; nuk ka ndarje përgjatë vijave etnike, por në rregullimin e kufirit dhe në njohje reciproke”, thoshte Hashim Thaçi

Koha kalonte, por presidentit nuk i dilte askush në krahë. Madje disa herë kishte përplasje me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Edhe shumë zyrtarë nga partia që dikur e drejtonte, PDK-ja i dolën kundër. Por Thaçi nuk lëshonte pe.

“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”, deklaronte presidenti.

E publikisht kundër i doli Ramush Haradinaj. Madje gjatë një ceremonie në Skënderaj ku po përkujtoheshin disa luftëtarë, ia tha në sy se askush s’ka të drejtë të flasë për kufijtë e Kosovës.

“Lufta për liri është e shenjtë se populli ynë u ka për borxh shumë dëshmorëve të rënë për liri dhe se në borxhin e dëshmorëve hyn edhe ruajtja e territorit prej të gjithëve. Populli ynë i ka borxh shumë dëshmorëve, e borxh i kemi të gjithëve. Ne u kem borxh për ta forcuar lirinë, për ta forcuar shtetin, të forcohemi në ekonomi, ta ruajmë territorin e Kosovës dhe për ta bërë të paprekshëm prej askujt, qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund. Të gjithëve na pëlqen rritja jonë, por nuk mund të preket ajo që e kemi mbërritur me gjak. U kemi borxh dëshmorëve që ta ruajmë territorin e Kosovës”, kishte thënë Ramush Haradinaj.

Por deklaratat e tilla nuk e ndalën Thaçin. Disa ditë më vonë ai paralajmëroi dhënien e disa komunave Serbisë.

Disa komuna të veriut i quajti si “dhurata të Rankoviqit”

“Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane”, kishte thënë Hashim Thaçi.

Gjithë kjo situatë kishte “shpërthyer” në një darkë ku Thaçi e Haradinaj kishin pasur tensione. Kjo ishte konfirmuar edhe nga vetë shefi i ekzekutivit kosovar.

Përderisa 2018-ta nisi dhe përfundoi me “korrigjim të kufijve”, këto dy tema duket se do ta përcjellin opinionin kosovar edhe në vitin e ardhshëm. /Insajderi.com