Skandalet e dështimet e Policisë së Kosovës për vitin 2018

Mos ofrimi i mbrojtjes së Valbona Nrecajt, mosantarësimi në Interpol, rasti i djalit të Shpend Maxhunit, maltretimi i pjestarit të komunitetit LGBTI janë vetëm disa nga skandalet dhe dështimet që kanë përcjellë policinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar.

Skandalet e dështimet e Policisë së Kosovës për vitin 2018

Mungesa e profesionalizmit, reagimet vonshme, përfshirja e pjesëtarëve të policisë në skandale, ndikimet e politikës, ‘‘bërja e të fortit karshi të dobëtëve’’ janë disa prej elementeve që po ngrisin pikëpyetje për punën e Policisë së Kosovës.

Insajderi përmes këtij artikulli do të përmbledhë disa prej skandaleve dhe dështimeve që kanë përcjell policinë gjatë vitit 2018.

Vrasja e paralajmëruar e Valbona Marku – Nrecajt dhe vajzës së saj 9 vjeçare

Mbrëmjen e shtatë gushtit në Gjakovë ndodhi një ngjarje tronditëse. Pjetër Nrecaj, vrau gruan Valbonën dhe vajzën e tij 9 vjeçare.

Vrasja ndodhi në fshatin Brekoc, shtëpinë e vëllezërve të Valbonës – ku ajo jetonte me tre nga fëmijët e tyre, pasi që paraprakisht kishte pësuar dhunë fizike nga burri i saj.Problemet e çiftit kishin kohë që kishin filluar pas kërkesës së Valbonës për divorc. Pjetër Nrecaj kishte qëndruar rreth një muaj në paraburgim për veprën penale të “kanosjes” ndaj gruas.

Ditën e tragjedisë, Valbonës i kishte ardhur një mesazh kërcënues nga ai. E ndjera e kishte raportuar kërcënimin e burrit në polici – por këta të fundit nuk e morën seriozisht.

Policia e kishte pranuar se ka marrë informatën për kërcënimin, por thoshin se nuk e kishin gjetur të dyshuarin.

“Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, ka thënë Lirie Podrimaj zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.

Mos reagimin e menjëhershëm të Policisë në lidhje me rastin, tentojë ta arsyetojë nënkoloneli i policisë, Ahmet Hasi. Hashi tha se nuk është kërkuar urdhër-mbrojtje nga viktima.

Për Policinë e Kosovës nuk ka qenë i mjaftueshëm lajmërimi i kërcënimit nga e ndjera.

Brenda rreth një muaji, Inspektorati Policor ka marrë dy vendime kundërthënëse lidhur me këtë vrasje të dyfishtë.

Në njoftimin e lëshuar më 16 gusht, Inspektorati kishte thënë se nuk e kishte gjetur ndonjë veprim të kundërligjshëm në trajtimin e këtij rasti.

Ndërsa një ditë më parë, në orët e mbrëmjes, njoftoi se tre zyrtarë policorë duhej të suspendoheshin si të dyshuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Pjetër Ndrecaj u dënua me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës, dhe vajzës së tij dhe për armëmbajtje pa leje.

Dështimi për anëtarësim në INTERPOL

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në Interpol, datojnë që nga viti 2010, por atë kohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Kërkesën e kishte përsëritur edhe në vitin 2015 dhe 2016. Kurse në vitin 2017, kërkesën e kishte tërheqë vullnetarisht për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

Një dështim tjetër për anëtarsim në INTERPOL, Kosova e shënoi në nëntor të këtij viti. Nuk e mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajte në Dubai.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në Interpol e mbështetën 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Në lidhje me këtë dështim Drejtori i Përgjithshëm Policisë, Reshat Qelaj fajësoi politikët.

“Konsideroj se nuk ka të bëjë asgjë me fushën e policisë por me politikën, apo gjeopolitikën. Shumica e delegacioneve kanë thënë se ende nuk kemi qëndrim politik për vendin tuaj. Normalisht kemi pritë që vendimet të jene policore, fatkeqësisht ndodhi”, tha Qelaj në ditën kur Kosova shënoi edhe një dështim në historinë e saj.

Intervenimi i Policisë së Kosovës në tetë vjetorin e organizatës Studim Kritikë Veprim

Më 12 prill të 2018- s, organizata studentore Studim, Kritikë, Veprim (SKV) mblodhi në Parkun e Qytetit anëtarët dhe përkrahësit e saj për të festuar 8 vjetorin e themelimit të organizatës së tyre.

Në mbledhin e SKV-së u paraqit e paftuar edhe Policia e Kosovës duke intervenuar me forcë për të larguar studentët nga parku. Sipas policisë, intervenimi i tyre erdhi pas ankesave të qytetarëve dhe përdorimi i forcës ishte i nevojshëm sepse studentët nuk pranonin të largoheshin nga aty.

Policia tha se të pranishmit në park po prishnin rendin e qetësinë publike, si dhe po përdorej narkotikë e alkool.

Në aksionin e policisë në pranga u vunë gjashtë anëtarë të SKV-së. Reagimi i policisë ndaj organizatës studentore – e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje (LV) – nxiti reagime të shumta që akuzonin policinë për brutalitet dhe jo profesionalizëm të treguar.

Anëtari i LV-së, Egzon Azemi kishte demantuar informacionet e policisë se studentët kishin përdorur substanca narkotike.

Akuza ndaj policisë për dhunë ndaj të arrestuarve kishte pasur edhe nga organizata që merret me të drejtave të njeriut, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“Të gjithë të arrestuarit janë ankuar se policia ka ushtruar dhunë fizike dhe ofendime ndaj tyre. Më tutje, evidencat mjekësore të tyre konstatojnë lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit si: ndrydhje, gërvishtje, skuqje, etj”, thuhet në reagimin e QKRMT-së.

“Përveç njërit nga të arrestuarit i vendosur në Stacionin Policor në Lipjan, të tjerëve nuk u është ofruar trajtim i duhur mjekësor’’, thuhet në reagimin e QKRMT-së

Numri i grabitjeve gjatë vitit 2018 – raporti i Policisë

Dukuria e grabitjeve të shtëpive, bankave e lokaleve të ndryshme në Kosovë ka shënuar ngritje, çdo ditë e më shumë po raportohet për raste të tilla.

Që nga janari i këtij viti deri në muajin nëntor në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 263 grabitje. Teksa në vitin e kaluar nga Policia e Kosovës ishin evidentuar 290 raste të grabitjeve.

Në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë Insajderit, thuhet se regjioni më i prekur i grabitjeve me armë është Prishtina.

Vetëm në kryeqytet gjatë periudhës janar-tetor kanë ndodhur 59 raste të grabitjeve të armatosura. Ndërsa në të gjitha regjionet tjera kanë ndodhur gjashtë raste të këtij lloji të grabitjes. Në këto gjashtë raste shtatë persona janë të dyshuar,  tre prej të cilëve janë arrestuar.

Është bërë e ditur se në rajonin e Prishtinës, gjatë dhjetëmujorit të parë të këtij vitit, Policia e Kosovës ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në rastet e grabitjeve, ku gjithsej janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim, ndërsa 6 persona të tjerë të dyshuar ndodhen në arrati.

Sipas të dhënë, thuhet se prej këtyre 32 personave, në mesin e tyre ka që kanë kryer më shumë se dy grabitje. Por që shumë tjerë që merren me grabitje nuk janë identifikuar nga policia. Insajderi më parë përmes dokumentarit në InDoks ka raportuar edhe mënyrën se si policitë përballë grabitësve të armatosur luajnë lojën ‘‘e të vdekurit’’.

Nga grabitjet e armatosura kanë ndodhur edhe tragjedi. Muaj më parë një rojtar i një biznesi në Fushë Kosovë kishte humbur jetën pasi grabitësit e kishin qëlluar për vdekje në vendin e punës. Tjetër ngjarje që bëri bujë është ajo në Veternik të Prishtinës. Pronari i shtëpisë u ballafaqua me persona të armatosur në shtëpinë e tij, të cilët synonin të kryenin grabitjen. Si pasojë e këtij ballafaqimi, si vetëmbrojtje pronari i shtëpisë shtiu me armë duke i marrë jetën njërit prej të dyshuarve në këtë rast.

Aksidentet gjatë vitit 2018

Një shqetësim tjetër për shoqërinë kosovare dhe me pasoja tragjike janë edhe aksidentet në komunikacion. Përgjatë 11 muajve të këtij viti kanë gjetur vdekjen 110 persona në vetëm 85 aksidente.

Në total, në aksidente me të vdekur, lëndime e me dëme materiale shifrat janë të frikshme. Në periudhën kohore janar- nëntor kanë ndodhur në total 14 mijë e 393 aksidente.

Prej këtyre aksidenteve kanë mbetur të lënduar mbi 11 mijë qytetarë të Kosovës. Policisë në këto raste i ka mbetur vetëm të shqiptojë gjoba, ku për 11 muaj ka shqiptuar mbi 373 mijë tiketa trafiku.

Numri i aksidenteve edhe në vitet e kaluara ka qenë shqetësues.
Bazuar në të dhënat e deklaruar nga Policia, thuhet se në vitin 2017 numri i aksidenteve në total ka qenë më i lartë, ku në kanë ndodhur gjithsej 16 mijë e 122 aksidente, si pasojë 119 persona kanë vdekur. Ose thënë ndryshe 22 persona më shumë kanë vdekur gjatë vitit të kaluar.

Për dallim nga numri më i madh i aksidenteve të shënuara gjatë 2017, numri i tiketave ka qenë dukshëm më i ulët se sa ai i këtij viti, rrjedhimisht janë shqiptuar 1 mijë e 838 bileta më pak se në këtë vit pra gjithsej 371 mijë e 976 tiketa trafiku.

Por, çfarë bëri Policia e Kosovës përveç shqiptimit të biletave të trafikut, për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në Kosovë?

Me 24 korrik të këtij viti u formua një “TASK FORCË”, që për qëllim kishte parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor. Vetëm dy javë pas kësaj, shtatë persona kishin humbur jetën në aksidente rrugore, derisa kishin ndodhur rreth 300 aksidente me të lënduar.

Prapë statistikat nuk kanë treguar për ndonjë përmirësim edhe pas këtyre masave të vendosura.

Skandalet e Policisë së Kosovës

Dështim dhe skandal shpërfaq video e publikuar ku shihen dy pjesëtarë të komunitetit LGBTI teksa dhunohen psikologjikisht nga disa pjesëtarë të policisë.

Në videon e publikuar në media shihet se si pesë zyrtarë policorë fyejnë dhe tallen me këta dy qytetarë, derisa njëri prej tyre përpiqej ta bëjë një denoncim për tentim therje me thikë dhe grabitje nën kërcënim të armës. Denoncimi i tij neglizhohet nga pjesëtarët e Ppolicisë të pranishëm në atë zyre.

Qytetari u deklaron para policëve se ishte kanosur me thikë nga personi tjetër pjesëtarët e policisë më të interesuar ishin të dinë se a kanë kryer marrëdhënie seksuale, sesa të procedonin veprën penale të kërcënimit. Gjatë tërë kohës ata talleshin dhe ofendonin viktimën.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte filluar hetimet për skandalin e Policisë që kishte ndodhur në Stacionin numër 4 në Prishtinë. Si rrjedhojë pesë zyrtarët e Policisë u suspenduan.

Rasti i djalit të Shpend Maxhunit

Mbrëmja e 12 tetorit shënon një tjetër ngjarje që policinë e përballi me akuza e dyshime.

Djali i Shefit të Agjencisë së Inteligjencës, Shpend Maxhuni – ish Drejtor i Policisë së Kosovës -, Shpëtimi ishte ndaluar nga policia në Zllatar të Prishtinës, në veturën e gjyshit të tij, Enverit e në të cilën iu gjetën një revole, një thikë si dhe një cigare me substanca narkotike.

Fillimisht, në makinë, sipas policisë, po udhëtonin Shpëtim Maxhuni, si dhe dy shokët e tij Selim Ramadani dhe Arlind Kosumi.

Shpëtim Maxhuni kishte deklaruar në polici se thika ishte e tij, ndërsa arma dhe cigarja me marihuanë ishin të shokëve të tij. Rasti nuk ishte raportuar nga policia.

Një javë pasi kishte ndodhur rasti, ai raportohet nga mediat. Pas kësaj në Polici lajmërohet kushëriri i Shpëtimit, Rinor Maxhuni i cili kishte vendosur të marrë përgjegjësi për armën.

Rasti Maxhuni është një tjetër fakt për të kuptuar ndikimin – fuqinë e politikës në organet e drejtësisë.

Prokuroria e Shtetit ishte rreshtuar në anën e Shpend Maxhunit, rrjedhimisht duke u mundur që të fshehin dëshmitë dhe të fajësohej dikush tjetër dhe jo djali i tij.

Në vend se të gjendej fajtori dhe i njëjti të vuaj dënimin e merituar, Inspektorati Policor i Kosovës në muajin nëntor kishte kërkuar suspendimin e zyrtarit policor Afrim Karaxha, nën dyshimin për rrjedhje informacioni konfidencial, gjegjësisht për njoftimin e mediave se djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni është përfshirë në një rast penal.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, para anëtarëve për siguri tha se nuk ka qenë kjo arsyeja e suspendimit të policit në fjalë. Sipas tij ai është suspenduar pasi që për 18 sekonda ka hyrë në mënyrë të pa autorizuar në sistemin e të dhënave, që konsiderohen tejet konfidenciale.

“Nuk është suspenduar se ai i ka njoftuar mediat për rastin, por se ka hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin e të dhënave. Ai ka hyrë disa herë në këtë sistem dhe të gjitha ato i ka arsyetuar, por nuk ka mundur ta arsyetoj edhe një hyrje 18 sekondëshe. Pasi këto informata janë shumë të klasifikuara, është konstatuar se ai i ka nxjerrë disa nga ato”, ka deklaruar sot Qelaj para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri.

Por kjo nuk ka bindur shumë kënd dhe akuzat janë se policia ka qenë e ndikuar nga të ‘‘fortët’’ dhe se suspendimi i policit ka qenë hakmarrje.

Arrestimi i vëllait të Rexhep Selimit

Se organet e drejtësisë u ‘‘tuten’’ të fortëve është vërejtur edhe në rastin e arrestimit të vëllait të Rexhep Selimit, Ramadanit.

Me 2 mars të 2018- s Ramadan Selimi ishte shoqëruar për në stacionin e policisë për sulm ndaj policit dhe mospërfillje të urdhrave. Ngjarja kishte ndodhur derisa policia kishin ndalur një makinë, për kundërvajtje në trafik, e cila ka rastisur të jetë e vëllait të deputetit Selimi.

Ramadani nuk i kishte përfillur urdhrat e policit dhe e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor me inicialet A.I. Pas këtij veprimi, ai është shoqëruar në stacionin policor. Por, pas gjithë këtyre nuk kishte vonuar shumë dhe Ramadan Selimi ishte liruar me procedurë të rregullt.

Deputeti Rexhep Selimi e kishte quajtur si montim gjithë ngjarjen.

“Po duket se hakmarrja filloi. Ta shohim deri ku po shkojnë me montime rastesh sikur ky qe po e shoh ne media. E kam pritur…”, kishte shkruar ai në Facebook.

Pas kësaj, vëllai i Rexhep Selimit jo vetëm që nuk mbahet në arrest, por vetëm disa ditë më pas pikërisht polici me inicialet A.I, i cili kishte ndaluar, Ramdan Selimin i caktohet masa e ndalimit prej 48 orë, per “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Më pas me vendim të Prokurorisë i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt. Por, me propozimin e IPK-së polici në fjalë ishte suspenduar.

Rasti i rrahjes së ish-drejtorit të Telekomit, Agron Mustafa

Shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, dhe një polic Avni Berisha i njohur si ‘Tarkani’ midis qytetit të Prishtinës, në pikë të ditës kishin sulmuar ish-drejtorin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Rrahja nga dy zyrtarët e policisë shihej përmes një video të publikuar nga vet i sulmuari në këtë rast, i kapur nga kamerat e një lokali.

Ish- drejtori i Telekomit të Kosovës kishte thënë se deri nuk kishte pasur ndonjë ngatërresë me Policinë e Kosovës dhe sipas tij i gjithë sulmi ishte i organizuar.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate kishte deklaruar se në rrahje është përfshirë një zyrtarë i policisë me inicialet A.B dhe një qytetar, duke mos përmendur kështu fare shefin e krimeve ekonomike, Nazim Sahitin.

IPK-ja kishte suspenduar, Avni Berishën.

Rrjedhimisht, Avni Berisha i njohur si ‘Tarkani’ në vitin 2017 nuk u hetua fare në lidhje me rastin, pavarësisht se emri i tij figuronte si kryes i veprës dhe shkelej së detyrës zyrtare.

Tek në maj të këtij viti me Prokuroria Themelore e Gjilanit kishte ngritur aktakuzë ndaj ‘Tarkanit’, për sulmin ndaj Agron Mustafës./Insajderi.com