Thaçi shfrytëzon historinë e kolonelit të FSK-së, tenton të promovojë veten

Thaçi shfrytëzon historinë e kolonelit të FSK-së, tenton të promovojë veten

Hashim Thaçi ka shfrytëzuar historinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Xhevdet Tahirajt, për të treguar se është krenar me Ushtrinë e Kosovës – ligji për të cilën u votua para dhjetë ditësh nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës ka takuar sot ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili tashmë shërben si Kolonel në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Takimin me Xhevdet Tahirajn, presidenti Thaçi e ka shfrytëzuar; ka tentuar ta ndërlidhë veten me ushtrinë e sapoformuar të Kosovës.

“Sot, takova mikun tim, kolonelin Xhevdet Tahiraj, i cili aktualisht është Drejtor i Departamentit të Mjekësisë në kuadër të FSK-së. Xhevdeti, njësoj sikur shumë studentë të tjerë në vitet e 90-ta, ishte i detyruar të largohej nga Kosova, për t’i vazhduar studimet në Tiranë. Në atë kohë, qindra studentë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, në kushte të vështira dhe larg familjeve të tyre, me sukses përfunduan studimet në Shqipëri”, shkroi Thaçi në Facebook.

“Apartamentet e tyre të thjeshta, por edhe dhomat e vogla të konvikteve ishin gjithmonë të hapura për luftëtarët e lirisë. Për më tepër, këta studentë me krenari i veshën uniformat e ushtarëve të lirisë, duke lënë librat përkohësisht në një anë, deri në çlirimin e vendit tonë.”

Thaçi u shpreh se “misioni në shërbim të atdheut nuk përfundon asnjëherë, për të gjithë ata që e duan Kosovën e zhvilluar”, duke aluduar në historinë e kolonelit Tahiraj. /Insajderi.com