Në mesazhet që dolën në media disa ditë më parë, Shpend Ahmeti kërkonte nga Dardan Sejdiu që të flasë si Kadri Veseli.
“Në qoftë se ka hapësirë e kisha shtuar edhe pjesën që po ta lenim buxhetin në leximin e parë në fatin e listës serbe, do të rrezikoheshin edhe taksa edhe veprimet e tjera që i kemi ndërmarrë në Kosovë në muajt e fundit, diçka qeshtu..qysh tha Kadrija në takim veç PSD e ka përjashtu komplet listën serbe edhe për këtë ua kemi borxh”, ka shkruar Ahmeti në SMS të publikuar ditë më parë.
E përmbajtjen e këtij mesazhi e ka sqaruar deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi.
Ai ka thënë në Klan Kosovë, se në një takim me partitë, Kadri Veseli ka thënë se vetëm PSD-ja nuk e ka kushtëzu qeverinë me Listën Serbe.
“Asni pazar s’ka prapa atyre mesazheve. Jo aspak ky mesazh është keqpërdor prej VV-së. Në njërën nga takimet ku kanë marrë pjesë partitë, Kadri Veseli ka thënë që vetëm PSD-ja deri qetash nuk e ka kushtëzu me me Listën Serbe”, ka thënë Krasniqi, transmeton Insajderi.
Ai është shprehur se PSD-ja nuk do ta votojë rrëzimin e qeverisë për shkak të Listës Serbe, e që lidhet me taksën dhe Ushtrinë. /Insajderi.com