Rektori Demaj: Vetëm fëmijët e dëshmorëve do gëzojnë privilegje

Rektori Demaj: Vetëm fëmijët e dëshmorëve do gëzojnë privilegje

Këtë vit të ri akademik vetëm fëmijët e dëshmorëve do të gëzojnë privilegje për pranim në Universitetin e Prishtinës. Por, numri i tyre do të jetë shumë më i ulët se sa në vitet paraprake.

Derisa fëmijët e veteranëve, invalidëve të luftës e kategorive të tjera do të kenë status të barabartë me të gjithë studentët e tjerë të UP-së.

Për këtë kategori kësaj radhe nuk do të ketë asnjë privilegj nga ana e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

“Për shkaqe humane, legjitime dhe kombëtare, Universiteti sivjet ka pranuar vetëm fëmijët e dëshmorëve si kategori e dalur nga lufta. Kësisoj neve kemi caktuar kuotën prej 2% të numrit të përgjithshëm të pranuarve ne Universitet, vetëm për fëmijët e dëshmorëve”, ka thënë në një intervistë për Gazetën Express i pari i UP’së.

Dema zotohet se do ta mbajë politikën larg nga UP’ja.  Madje ai thotë se në këta muaj të mandatit të tij nuk ka pasur as edhe një tendencë për ndërhyrje nga ana e politikës në UP, pavarësisht asaj se në Universitetin që Dema e drejton ka profesorë që janë të inkuadruar në politikë.

“Është interesante dhe lajm i gëzueshëm qe përpos “trumbetimit të pabazuar nga jashtë”, në UP nuk ka pasur asnjë tendencë për ndërhyrje nga politika. Unë dua te besoj se i njëjti ritëm do te vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyre qe Universiteti të vazhdoj rrugën e vet dhe te ecën përpara drejt misionit të vet të dijes”, thotë ai./Express